Vijon zbatimi i planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Shkon në 26 numri i kamerave të çmontuara. Në vijim të fazës së tretë të këtij plani operacional të zhvilluar në qarkun Vlorë, Policia çmontoi në Vlorë dhe në Delvinë, 10 kamera të tjera të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Deri tani, janë iniciuar hetime të thelluara për 4 shtetas, pasi kishin montuar kamera, në mënyrë të kundërligjshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Delvinë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, konkretisht në disa lagje të qyteteve të Vlorës dhe të Delvinës, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë vijuar me punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

-Në vijim të fazës së tretë të këtij plani operacional, në Vlorë, në lagjet “Pavarësia”, “29 Nëntori” dhe “28 Nëntori”, janë çmontuar 8 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit E. A., N. Zh. dhe V. P.

-Plani operacional ka vijuar dhe në qytetin e Delvinës, ku u çmontuan dhe u sekuestruan 2 kamera dhe nisën hetimet për shtetasin E. S. Materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Vlorë dhe Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re