Ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama në kuadër të fushatës elektorale është Vlora. Kreu i qeverisë tha se qytetit bregdetar i duhet një kryetar bashkie që të rrijë pa gjumë dhe të punojë shumë për qytetin.

“Vlorës i duhet një kryetar bashkie pa gjumë, që zgjohet i pari dhe që del nëpër qytet dhe shikon që nuk ka asnjë copë letër përtokë. Që fle i fundit sepse për fat të keq ndër të gjitha bashkitë që drejtojmë Vlora është bashkia më problematike për pastrimin dhe kjo është e papranueshme sepse nuk mund të vijë qeveria këtu që të pastrojë Vlorën.

E pastron Bashkia dhe Vlora është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës Shqipëri që ne duam ta bëjmë kampione të Ballkanit në turizëm. Por kampione nuk bëhemi dot nëse nuk i lëmë turistët pa fjalë dhe nuk gjejnë dot një copë letër përtokë. Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie që matet 7 herë përpara se të firmosë një leje ndërtimi.

Dhe herën e shtatë pyet 7 të tjerë dhe pastaj merr vendime që nuk zhbëhen më. Ndërkohë që ndërtojmë Vlorën e të ardhmes duhet të bëjmë çmos që të mos marrin vendime që nuk shbëhen më. Vlora ka nevojë për një kryetar që të ketë respekt për çdo socialist dhe socialiste në radhën më të parë.

Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie që të mos lejojë udhëheqësit e PS të mbyllin derën e PS për të gjithë ata që duan të bashkohen. Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie që socialistët t’i dojë pa kushte ndërsa demokratët t’i respektojë pa kushte.”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.

Më tej, ai e cilësoi Vlorën si projektin e tij të përditshëm.

“Këtu në Vlorë nuk kam ca flas për vizione dhe ambicie sepse ju e dini që Vlora për mua është një projekt që vazhdon çdo ditë, javë, muaj dhe çdo vit. këtu dua të flas për atë që këtu në Vlorë është vendi i duhur për ta thënë sepse për politikë, këtu bëhet politikë saqë pastaj kur disa të rinj bëhen deputetë iu duket vetja sikur kanë arritur majën.”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re