Një turist rus, i ndodhur në Vlorë, dëmtohet nga dy adoleshentë në qytetin bregdetar. Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë”, pranë një ndërtese të braktisur, ndërsa shtetasi rus ka ndërhyrë për të ndaluar dy të rinjtë, të cilët ishin duke dhunuar një qen.

Në momentin që ka ndërhyrë, sipas tregimit të tij, shtetasi rus është dhunuar nga të dy të rinjtë, duke pësuar dhe dëmtime në disa pjesë të trupit, ndërsa ka vënë menjëherë në dijeni policinë e Vlorës e cila ka nisur hetimet për ngjarjen, por edhe ambasadën ruse në Tiranë.

“Ndodhesha në apartamentin tim, kur pashë disa persona, të cilët ishin duke dhunuar një qen. Zbrita nga apartamenti dhe ju afrova të rinjve dhe në momentin që nisa të bëj foto, dy prej tyre u afruan dhe nisën të më godisnin. U rrëzova, ndërsa pësova dëmtime tek duart.

Nuk doja të bëja asgjë, thjesht t’i ndaloja të rinjtë të bënin aktin e keqtrajtimit të një kafshe, por vetëm për shkak të fotos që bëra më dëmtuan.

Shkova në spital për t’u mjekuar dhe më pas bëra një denoncim në polici për këtë ngjarje. Një fletë të cilën ma dha policia nuk e kam firmosur pasi pres që ajo të jetë në rusisht dhe të jetë e informuar edhe ambasada ime në Tiranë”, deklaroi shtetasi Sergey Dzambula.

“Kam disa kohë që jetoj në Vlorë dhe Shqipëri, pasi më duket një vend i mrekullueshëm, madje kam dëshirë të blejë apartamentin tim për të jetuar këtu”, shprehet gjithsesi rusi.

Tashmë policia e Vlorës konfirmon edhe nisjen e hetimeve për këtë ngjarje, ndërsa mësohet se janë identifikuar dy shtetasit adoleshentë, për t’u shoqëruar më pas drejt policisë së Vlorës për detaje të tjera rreth ngjarjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re