Ndërsa pritshmëritë për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë janë pozitive, politika maqedonase po sinjalizon paqëndrueshmëri. Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE organizoi një tubim para kryeministrisë, në shenjë pakënaqësie ndaj politikave të qeverisë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev.

 

Kreu i opozitës Hristijan Mickoski kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale. Mickoski tha se Maqedonia kaloi një vit me zhgënjime, pritje të tradhtuara, pengesa ekonomike dhe me premtime të rreme.

 

Duke iu referuar bisedimeve mbi zgjidhjen e konfliktit për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, kreu i opozitës theksoi se partia që ai drejton nuk do të pranojë ndryshimin e kushtetutës.

 

Ndërkohë kanë ardhur reagime nga partia e Zoran Zaev. LSDM ka vlerësuar se mesazhet e Mickoskit janë të njëjtat me ato të shfaqura në 12 vitet e fundit të paraardhësit të tij, Nikolla Gruevski.

 

“Qytetarët nuk panë ndonjë ndryshim. Fatkeqësisht, Mickoski përsëri ka refuzuar t’u kërkojë falje qytetarëve për atë që VMRO-DPMNE-ja ka bërë në Maqedoni për 11 vjet. Në vend që të kërkojë falje, Mickoski i bëri thirrje Maqedonisë që të ndalet. Por, kjo nuk do të ndodhë thuhet ne reagimin e partisë qeverisëse.

 

LSDM gjithashtu ka hedhur poshtë kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re