“Transformimet e frikshme që ky basen ka pasur, sidomos gjatë 50 viteve të fundit, sidomos nga ndërtimi i digave, nga zjarret në pyje, prerjet ilegale, braktisjen e territorit nga njerëzit, kërkon marrjen e masave urgjente.”

Sipas ekspertit Kliti Starja, drejtor i analizës së performancës në Agjencinë Kombëtare të Pyjeve të Shqipërisë, problematikat në pellgun ujëmbledhës të Drinit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e rajonit verior të Shqipërisë, por edhe në të ardhmen e hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit, të cilët janë ndërtuar mbi kaskadën e Drinit.

“Duke qenë që kemi degradim të sipërfaqeve pyjore, mbase si pasojë e keqmenaxhimit, por kryesisht si pasojë e zjarreve, një efekt ky i lidhur po me ndryshimet klimatike, do të thotë se është rritur erozioni i basenit dhe do kemi mbushje më të shpejta të hidrocentraleve që në Shqipëri ndodhen mbi këtë lum. Dhe ne kemi edhe sfidat e energjisë që lidhen me pellgun ujëmbledhës të Drinit”.

Në Shqipëri, Sipas INSTAT, gjatë 10 viteve të fundit janë djegur nga zjarret 23 815 hektarë me pyje dhe kullota, një pjesë e madhe në zonën veriore të vendit ku shtrihet edhe pellgu ujor i lumit Drin.

Me ndryshimet klimatike të viteve të fundit, thotë eksperti Starja, edhe në sektorin e pyjeve sfidat janë globale, ndaj dhe zgjidhjet duhet të jenë të bashkërenduara ndërmjet vendeve të rajonit, për t’ju përgjigjur në kohë ndryshimeve klimatike.

Pellgu i Drinit, sipas ekspertit nga Kosova Tahir Ahmeti, drejtor i departamentit të pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë së Kosovës, përbën gati gjysmën e territorit të Kosovës dhe aty gjenden burimet kryesore pyjore, çka e bën atë një nga vlerat më të rëndësishme natyrore dhe ekonomike. Duke qenë se krenohemi që jemi të parët e rrjedhave të Drinit, thote ai, na takon që të marrim edhe përgjegjësitë për ndotjet, por edhe për rastet e keqmanaxhimit që ndodhin në shtratin e Lumit Drin.

“Besoj që problemi kryesor është erozioni, dheu, gurët, materialet e tjera që i bart Drini dhe që depozitohen përrreth tij. Ka një histori të gjatë të kësaj problematike në Kosovë. Menjëherë mbas luftës, i vetmi burim i materialit për ndërtim, i rërës, zhavorit, është marrë nga Drini. Kjo e ka degradu tej mase shtratin e lumit, por kësaj i kanë ndihmu edhe prerjet ilegale që kanë ndodhur në pyje.”

Në Konferencën e parë rajonale “Menaxhimi i integruar i pyjeve përgjatë basenit të Lumit Drin” ekspertët theksuan faktin se, pasojat e keqmenaxhimit, ndërhyrjeve të njëanshme në ekosistem dhe dëmtimeve të shkaktuara në këtë pellg ujor nga ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet njerëzore, sjellin pasoja për të katër vendet e rajonit përnga përshkohet Drini.

Rëndësia që paraqet pellgu i Drinit ka nxitur organizatën CNVP që, me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim, të ndërmarrë projektin trevjeçar për menaxhimin e integruar të sipërfaqeve pyjore në zonën ujëmbledhëse ndërkufitare të Lumit Drin, që shtrihet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke harmonizuar politikat e zhvillimit dhe duke promovuar përfshirjen e komuniteteve lokale në mirëmenaxhimin e integruar të ekosistemit natyror të këtij lumi të përbashkët./VOA/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re