Në Tiranë, përfaqësues të shumicës socialiste dhe familjarë të viktimave në demonstratën e 21 janarit 2011 përkujtuan sot 13 vjetorin e asaj ngjarjeje, kur u vranë me armë zjarri nga Garda 4 protestues dhe u plagosën shumë të tjerë.

Ata bënë thirrje për ndriçimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për nxjerrjen para drejtësisë të zyrtarëve, që urdhëruan hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nxorri nëntorin e kaluar një vendim, ku theksohet që, në hetimet për çështjen e 21 janarit janë vërejtur mangësi të shumta, të cilat ngritën dyshime se autoritetet u përpoqën ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht në to.

Në ceremoninë përkujtimore të demonstratës së 21 janarit, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej 4 të vrarëve gjatë protestës, tha se këto janë 13 vite të manipulimit dhe pengimit të drejtësisë, fshehjes së krimit shtetëror, ndërsa Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, riktheu shpresat për drejtësi, duke konfirmuar shmangien e hetimit me veprime të përcipta dhe gjykim farsë, duke lënë jashtë përgjegjësit e vërtetë për vrasjen qytetarëve të pafajshëm.

“Ata ishin protestues paqësorë dhe të katërt u vranë larg hyrjes së kryeministrisë, kur protesta po shpërndahej, kur nuk kishte asnjë arsye që të përdorej dhuna, e jo më armët e zjarrit, e jo më të qëllohej në mish. Të katërt u vranë në bulevard. Asgjë tjetër, veç një urdhëri nga lart, mund të çonte në hapjen e zjarrit drejt qytetarëve në ato kushte”, tha zoti Nika.

Duke përmendur prokurorinë e Tiranës si autore e zvarritjes së kësaj çështjeje, kryeministri Edi Rama tha se nga ana tjetër, sistemi i drejtësisë po zgjohet pas reformimit, se institucionet e reja të saj po japin shenja dhe shpresë që drejtësia mund të bëhet dhe tashmë vendimi i Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut erdhi si një dritë në fund të tunelit, teksa e cilëson 21 janarin si një krim shtetëror të pahetuar.

“Nga Gjykata e Lartë më 27 shkurt, pak më shumë se sa një muaji prej sot, do të mësojmë nëse dosja e gjakut të 21 janarit do t’i kalojë për shqyrtim SPAK-ut për të hapur për së mbari hetimin e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut, apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për Zoti e di për sa kohë akoma në barkun e madh të prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës”, tha zoti Rama.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se shumica socialiste e reformoi sistemin gjyqësor me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë çështja e 21 janarit është ende në ajër,

“Por ajo nuk mund të mbahet peng nga disa magjistratë frikacakë, eunukë e të paaftë brenda sistemit, që tundin në dorë një çertifikatë vetingu dhe përpiqen të mbyllin me procedura të vërtetën e asaj ngjarje, si dhe shumë të tjera që mbajnë në tryezat e tyre të punës”, tha ministri Manja.

Nëntorin e kaluar Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut publikoi një vendim ku theksoi se autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e vdekjes së Nikës si dhe të identifikojnë e ndëshkojnë përgjegjësit e 21 janarit, mbi zinxhirin komandues të të cilëve hetimet nuk kishin zbardhur natyrën e urdhërave të mundshëm, por ishin përqëndruar mbi individë oficerë të Gardës.

Gjykata doli në përfundimin se hetimi i çështjes nuk ishte i frytshëm efektiv, sepse nuk përcaktoi të vërtetën apo të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës. Sipas vendimit, zyrtarë të kohës kishin ndërhyrë në mënyra të ndryshme për të mos u bërë saktë dhe shpejt ekspertime, dëshmi, dhe arrestimet e të dyshuarve, ndërhyrje që ndikuan mbi hetimet.

Ish kryeministri Berisha është shprehur se nuk i ka penguar hetimet, se nuk kishte asnjë kundërshtim ndaj vlerësimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke akuzuar Edi Ramën si autor i asaj demonstrate të dhunshme.

Demonstrata e organizuar më 21 janar 2011 nga Partia Socialiste nën thirrjet “O Sali, dorëzo bllokun!”, kishte në qendër aferat korruptive, që dyshohej se numëronte në një bllok shënimesh ish ministri Ilir Meta, i shfaqur në media nga një filmim i fshehtë, por ajo u mbyll pas shumë orë përplasje me policinë me 4 vrasje të protestuesve dhe shumë të plagosur./VOA

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re