Skip to content

Vodhën kasafortën në një kompani private në Tiranë, 2 në pranga dhe një në kërkim

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Liqeni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Vodhën kasafortën, dy njësi qendrore dhe një aparat celular, në një subjekt privat, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Sekuestrohen kasaforta e vjedhur, aparati celular i vjedhur dhe mjete të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë vjedhjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Liqeni”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i dy shtetasve përkatësisht 19 dhe 24 vjeç dhe është shpallur në kërkim një 53 vjeçar.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2023, kanë vjedhur në një subjekt privat për tregtimin e pijeve alkoolike, një kasafortë, një aparat celular dhe dy njësi qendrore. Më pas, ata e kanë hedhur kasafortën e vjedhur, në liqenin artificial të Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, aparati celular i vjedhur dhe mjete (çekiç, levë) me të cilat autorët e dyshuar kanë realizuar vjedhjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

vijon…