TIRANE– Një ditë pas ngjarjes së ndodhur në zyrën e një dietologeje në Tiranë, ku një person ka vjedhur portofolin e një klienteje, është bërë i mundur arrestimi i tij. Ai është shtetasi Durim Sema, 55 vjeç, banues në Tiranë.

Pas këtij rasti, 55-vjeçari Sema ka tentuar të vjedhë edhe një shtetas tjetër në ambientet e një agjencie, po në kryeqytet.

Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ky shtetas është autor edhe i tre vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë në Tiranë.

“Ky shtetas në rrugën “Themistokli Gërmenji”, në zyrat e një Agjencie ka tentuar të vjedhë shtetasin N. S., ndërkohë që po një ditë më parë në rrugën “Brigada 8”, në një dyqan dietologjik, i ka vjedhur portofolin shtetases V. T.

Nga veprimet e kryera hetimore rezulton se ky shtetas është autor edhe i tre vjedhjeve të mëposhtme:

– Vjedhjes së ndodhur më datë 09.03.2018, ku shtetasit A. K., në rrugën “Xhorxh Bush”, i janë vjedhur një sasi lekësh.

– Vjedhjes së ndodhur më datë 30.03.2018, ku shtetases N. T., në rrugën “Papa Gjon Pali”, në klinikën e saj i kanë vjedhur një sasi lekësh.

– Vjedhjes së ndodhur më datë 10.05.2018, ku shtetases V. U., i kanë vjedhur portofolin në zyrë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, në cilësinë e provës materiale, 55-vjeçarit Durim Sema i janë sekuestruar sendet që dyshohet se i ka vjedhur, si portofol, syze dielli dhe optike, një sasi lekësh, orë dore, dhe një aparat celular.

Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes”.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re