Të dridhura, dhimbje të pamata dhe plagë të rënda në të gjithë trupin e tij. Është vetëm 4 vjeç dhe po shuhet.

Mjekët në Kosovë i kanë thënë familjes që ta dërgojnë me urgjencë, sa më parë, drejt një spitali të specializuar në Itali, atje ku jeta e Ajanit mund të shpëtohet.

E pashpresë dhe e pamundur për të përballuar kostot e mëdha financiare, nëna e Ajanit i përgjërohet shqiptarëve që ta ndihmojnë. Një nënë që nuk ka më as lot për të derdhur, përballë një çrregullimi shumë të rrallë, që po bëhet shkak për t’i shuar jetën të birit.

“Përshëndetje. Jam nëna e Ajanit. Ai vuan nga sindroma Stivens Xhonson. Ajani është shumë keq. I lutem shqiptarëve, i lutem Elvis Naçit që të na ndihmojë, që djali im të jetojë”-thotë nëna e vogëlushit.

Sindroma Stivens- Xhonson (Stevens- Johnson, SJS) është një çrregullim serioz dhe i rrallë i lëkurës e membranave të mukozës. Ky çrregullim kërkon menjëherë hospitalizim të të prekurit dhe trajtim të plagëve e komplikimeve që mund të vijnë shumë shpejt në trupin e pacientit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re