Dy ish deputetet e PD, Albana Vokshi dhe Orjola Pampuri ishin në një fasoneri në Krujë, nga ku akuzuan qeverinë për përkeqësimin e situatës nga Covid 19 në këtë qytet.

Vokshi deklaroi se si rezultat i kokëfortësisë së Edi Ramës tani janë 67 persona të prekur brenda 3 ditëve vetëm nga fasoneritë e Krujës.

ALBANA VOKSHI

Fasoneritë janë bomba me sahat. Brenda pak ditëve janë 40 të infektuar në Krujë, 27 në Laç. Vatrat e infeksionit janë fasoneritë dhe më të prekurat janë vajzat dhe gratë. Vajzat dhe gratë që punojnë në fasoneri janë më të pambrojturat. Arsyeja e vetme është se qeveria nuk do që t’ia dijë për to. Për Edi Ramën ka rëndësi që të mos i mërziten klientët me të cilët vjedh dhe pasurohet vetë, jo shëndeti i mbi 70 mijë vajzave dhe grave që punojnë në fasoneri. Është jetike që qeveria të mbyllë menjëherë këto biznese që janë vatra të rrezikshme për përhapjen e shpejtë të infeksionit. Gjendja është e rëndë. Nuk duhet të presim që të hyjnë të gjitha gratë në karantinë që të mbyllen fasoneritë. Vendimi duhet marrë sot. Po sot duhet marrë edhe vendimi për mbështetjen financiare të ketij biznesi.

ORJOLA PAMPURI

Ndërsa Pampuri shtoi se në fasoneritë shqiptare është e pamundur që të krijohen kushtet e duhura për distancimin social, për shkak të mjediseve të vogla.

Jo vetëm në Krujë, por në të gjithë Shqipërinë, situata është e njëjtë. Sado që punëdhënësit përpiqen të krijojnë kushtet, kjo është e pamundur. Vetëm një vendim i qeverisë për mbylljen dhe pagesën e tyre e zgjidh problemin. Të dhënat nxjerrin në pah sesa larg realitetit është qeveria e Edi Ramës dhe sa pak kujdeset ajo për shtresat me të pambrojtura. Duhet theksuar se gratë dhe vajzat në fasoneri punojnë me një pagë minimale. Ato nuk e meritojnë që të diskriminohen nga qeveria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re