Partia Demokratike i konsideron antikushtetuese zgjedhjet e 30 korrikut në Universitete.

Albana Vokshi akuzoi kreun e qeverisë Rama se po kërkon të bëjë me universitetet të njejten gjë që bëri edhe me zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit të kaluar.

Zgjedhjet universitare janë ngjarja me domethënëse për demokracinë e universiteteve, por qeveria e Edi Ramës synon t’i shndërrojë ato në zgjedhje moniste për të emëruar më të besuarit në krye të fakulteteve dhe universiteteve, veçanërisht në Tiranë. Këtij qëllimi kriminal i shërben edhe vendimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, që ka caktuar datën 30 Korrik për zgjedhjet në univeristete. Nga pikëpamja ligjore, vendimi i qeverisë “Rama” është antikushtetues. Nga pikëpamja njerëzore, është kriminal. Ai vë në rrezik shëndetin e studentëve dhe pedagogëve, të cilët i thërret në një proces zgjedhor, në një kohë kur numrat e të prekurve nga COVID dhe vatrat e infeksionit po rriten çdo ditë.    Edi Rama kërkon të bëjë me universitete atë që bëri me zgjedhjet e 30 Qershorit, të emërojë njerëzit e tij, duke eliminuar çdo mundësi për garë të ndershme.

Ish deputetja e PD shton se me këtë vendim, qeveria automatikisht ka përjashtuar nga zgjedhjet ne Universitete, gati 75% të studenteve.

Me vendimin antikushtetues dhe të paligjshëm të Ministres së Arsimit, qeveria ka përjashtuar 75 përqind të studentëve nga e drejta për të votuar. Ai lejon të kthehen në auditorë vetëm një pjesë të studentëve, ata që largohen këtë vit akademik, si në bachelor edhe në master, duke përjashtuar dhe duke i hequr të drejtën e votës, të gjithë pjesës tjetër të stundetëve. 

•        Kjo situatë e krijuar me vetëdije nga Edi Rama dhe Besa Shahini për të kapur dhe kontrolluar edhe universitetet, si çdo qelizë tjetër të këtij shteti, është e papranueshme!

•        Është një përpjekje për të rrënuar edhe atë pak që ka mbetur nga autonomia në arsimin e lartë.

•        Është shuarje e çdo shprese që kishin një vit më parë studentët në protestën e tyre.

Vokshi shton se këto zgjedhje duhet të anullohen menjehere pasi ky vendim i shërben vetëm fitores së mundshme të shërbëtorit të Edi Ramës, kandidatit Artan Hoxha.

Këto zgjedhje pa votues, pa studentë, me shantazhe dhe presione duhet të anullohen! Zgjedhjet në universitete duhet të kryhen në ligjshmëri të plotë, ku të respektohet e drejta kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Procesi duhet shtyrë dhe të rihapet nga e para për të garantuar standarde, konkurencë dhe garë të lirë e të ndershme.Vendimi antikushtetues i qeverisë së Edi Ramës për të bërë zgjedhjet në universitete më 30 Korrik i shërben vetëm emërimit pa garë në krye të rektoratit të një shërbëtori të pushtetit, si Artan Hoxha, dekanit famëkeq të Fakultetit Juridik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re