Voltana Ademi tha se ajo do të vijojë të jetë kryetare Bashkie, derisa qytetarëve tu ofrohet mundësia për të zgjedhur në një garë të vërtetë elektorale.

Në një reagim sot për mediat, teksa u pyet se a do ta lirojë ajo zyrën për mbledhjen e këshillit bashkiak i cili u konstituua, Ademi tha se legjitimitetin e këshillit bashkiak nuk e vendos kryetari i baskisë.

“Ne operojmë me fondet e familjes sonë, të banorëve të Shkodrës, si një familje e madhe.

E vetmja bashki në Shqipëri që mbahet me atë se çfarë banorët e Shkodrës kontribuojmë përmes taksave dhe tarifave vendore. Bllokimi për një ditë nuk i bën asgjë Shkodrës.

Është një çështje që do të shqyrtohet shpejt nga Ministria e Financave dhe maksimumi ajo mund të pengojë biznesin për përfitimet që duhet të marrin, por edhe banorët për shërbimet që duhet të marrin.

Veprimi është i paprecedentë, është politik në atë që kam lexuar nuk mund ta imagjinoj që një nëpunës civil të shprehet për mandate politike lidhur me një bashki.

Është një tagër që nuk i takon. Është përgjegjësi institucionale dhe individuale, në atë që ata kanë shkruar me e-mail me bashkinë e Shkodrës. Nuk ka komunikim zyrtar, është e pamoralshme.

A do ta lironi zyrën për mbledhjen e këshillit bashkiak i cili u konstituua?

“Unë jam kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, kur them që duhet t’i jepet mundësia për zgjedhje, duhet të jetë mundësi për alternativa zgjedhjesh.

Legjitimiteti i këshillit bashkiak nuk e vendos kryetari i Bashkisë, reagimi qytetar ka qenë. Do ja lëmë qytetarëve të vendosin në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë.

Bashkia e Shkodrës në asnjë rast nuk do të veprojë kundër ligjit. Kjo periudhë është periudhë tranzitore. Duhet të shkojnë me domemos në zgjedhje”– tha Ademi. ()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re