Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka cilësuar si “dështim të plotë” samitin Bashkimi Evropian (BE) – Ballkani Perëndimorë.

 

Në një shkrim në llogarinë e saj në Twitter, von Ceamon ka theksuar të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u ftuan në Bruksel, por atyre nuk u dhanë asgjë.

 

“Ky samit BE-Ballkani perëndimor ishte dështim i plotë. Kjo dërgon një sinjal vërtetë katastrofik. Është vetëm një person i lumtur në këtë situatë dhe ai ulet në Kremlin”, ka shkruar Viola von Cramon në Twitter.

 

Ajo ka shtuar se as Bosnjë e Hercegovina nuk e ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, aq më keq Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk i kanë filluar negociatat e anëtarësimit dhe Kosova nuk ka marrë liberalizimin e vizave.

 

Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor u takuan në samitin e mbajtur në Bruksel, më 23 qershor. Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u ankuan për mungesën e progresit në ofertat e tyre për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

 

Po atë ditë, Bashkimi Evropian njoftoi se u ka dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë për anëtarësim në këtë bllok. /REL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re