Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të mërkurën se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit, me mesazhin se rruga drejt BE-së është rruga drejt një demokracie të fortë dhe se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia janë e ardhmja e Bashkimi.

Në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian, ajo tha se BE-ja, kur është fjala për axhendën e politikës së jashtme, duhet të investojë në demokraci.

“Ne duhet të bashkojmë forcat me partnerët tanë dhe të zgjerojmë demokracinë, dhe rruga e drejtpërdrejtë është të forcojmë marrëdhëniet tona dhe demokracinë në vendet tona,” tha ajo.

Von der Leyen tha se ka vende që tashmë janë në rrugën drejt BE-së dhe se Unioni duhet t’i mbështesë në çdo hap të rrugës, sepse rruga drejt një demokracie më të fortë është e njëjtë me rrugën drejt BE-së.

“Kjo është arsyeja pse unë dua t’u them qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë se ata janë pjesë e familjes sonë, e ardhmja e Unionit tonë. Pa to, BE-ja jonë nuk do të ishte e plotë”, nënvizoi ajo.

“Sulmet ndaj vlerave evropiane”

Von der Leyen tha se BE-ja e sheh se ka nevojë për të shkuar përtej procesit të zgjerimit, se nevojitet një komunitet politik, në lidhje me të cilin KE do t’i paraqesë idetë e veta në Këshillin e BE-së.

Sipas saj, e ardhmja e BE-së varet edhe nga bashkëpunimi me partnerët jashtë Evropës.

“Ka vende që duan të bashkëpunojnë me ne në përballjen me sfida të mëdha”, tha ajo, duke paralajmëruar marrëveshje me disa vende dhe përpjekje për thellimin e bashkëpunimit.

Ajo theksoi se autokratët e huaj po sulmojnë vlerat evropiane përmes financimit të institucioneve përmes të cilave duan t’i minojnë ato vlera.

Lidhur me këtë, ajo paralajmëroi masa për parandalimin e aktiviteteve të tilla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re