Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen u kërkoi të premten liderëve boshnjakë që të punojnë së bashku për ta sjellë vendin më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Bosnja aplikoi për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2016, por liderët e saj nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të nisur reformat që u përcaktuan si të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.

 

Von der Leyen u kërkoi liderëve të presidencës trepalëshe të mblidhen për ta kthyer Bosnjën, një vend që popullsia e së cilës mbështet anëtarësimin në BE, “në një shtet të ëndrrave të të rinjve”.

 

“Dera e Bashkimit Evropian është e hapur, ju lutem shfrytëzoni rastin dhe shfrytëzojeni këtë ftesë, dhe kjo tashmë varet nga ju,” u tha ajo politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile gjatë një vizite në Sarajevë, pjesë e një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Komisioni Evropian rekomandoi këtë muaj që Bosnjës t’i jepej statusi i kandidatit me kushtin që ajo të përforcojë demokracinë dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të nevojshëm.

 

Gjatë vitit të kaluar, vendi ballkanik përjetoi krizën më të rëndë politike që nga fundi i luftës në vitet 1990, mes politikave separatiste të liderit të saj serb Milorad Dodik dhe grindjeve midis boshnjakëve dhe kroatëve mbi rregullat zgjedhore.

 

Këshilli i Ministrave të BE-së do të votojë mbi statusin e kandidaturës në dhjetor edhe pse analistët dyshojnë se deri atëherë Bosnja do të jetë në gjendje të kryejë reformat e nevojshme, veçanërisht pasi qeveritë e reja nuk janë formuar ende pas zgjedhjeve të 2 tetorit.

 

Von der Leyen tha se Bosnja do të merrte 70 milionë euro (nga paketa 500 milionë euroshe e BE-së) si ndihmë për krizën energjetike dhe mbështetje të menjëhershme për familjet dhe bizneset në nevojë.

 

Ajo inauguroi një tunel në një autostradë të ndërtuar me fondet e BE-së, 542 milionë euro të dhëna në formën e granteve./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re