Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot po viziton Beogradin, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç.

 

Vuçiç dhe Von der Leyen fillimisht do të kenë një takim kokë më kokë në Pallatin e Serbisë dhe më pas me anëtarët e dy delegacioneve. Presidenti i Serbisë tha mbrëmë se gjatë gjithë ditës do të ketë diskutime me presidenten e Komisionit Evropian për të gjitha çështjet e rëndësishme për Serbinë.

 

“Ajo do të qëndrojë në Beograd për një natë dhe përveç bisedimeve zyrtare, do të kemi bisedime edhe privatisht dhe do të kemi një darkë së bashku. Do të kemi shumë kohë për të biseduar për të gjitha çështjet e rëndësishme për Serbinë,” tah Vuçiç gjatë një interviste në Tv Happy.

 

Von der Leyen vjen në Beograd si pjesë e një vizite katër-ditore në Ballkanin Perëndimor, të cilën ajo e filloi të dielën në Shkup, me qëllim që të prezantojë detajet e Planit të Rritjes së BE-së për rajonin. Ajo dje ishte edhe në Prishtinë, ku në një konferencë për media me Presidenten, Vjosa Osmani, tha se ka një plan të ri investimi që funksionon shumë mirë dhe se suksesi mund të arrihet vetëm nëse Beogradi dhe Prishtina normalizojnë marrëdhëniet e tyre.

 

Von der Leyen u takua më parë në Shkup me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Steve Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ku ajo përsëriti se BE-ja planifikon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë reformat e nevojshme për integrimin në bllokun evropian me një investim prej gjashtë miliardë eurosh. Gjatë vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, von der Leyen do të vizitojë sot paradite Malin e Zi, ndërsa nesër Bosnje-Hercegovinën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re