Skip to content

“Vonesa e pagesave po rëndon financat e kompanive”, paralajmërojnë operatorët: Do të reduktojmë flotën urbane nëse…

linja urbane

Shoqatat e transportit paralajmërojnë se nëse deri në fillim të javës së ardhshme nuk marrin një përgjigje për kompensimin e karburantit, operatorët e përfshirë në transportin publik do të reduktojnë flotën urbane.

Për News24, përfaqësuesit e tyre thonë se vonesa e pagesave për muajt mars, prill dhe maj po rëndon financat e kompanive. Qeveria ka miratuar kompensimin me 50 lekë për litër karburant, por sipas operatorëve, pavarësisht plotësimit të dokumentacionit, fondet ende nuk janë disbursuar. Shoqatat Kombëtare të Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar Ministrise të Financave, te

Infrastrukturës dhe Energjetikës, Pushtetit Vendor dhe Bashkisë Tiranë, duke kërkuar informacion mbi arsyet e vonesës si dhe përcaktimin e një afati konkret për pagesat. Operatorët thonë se gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të përballojnë me fondet e tyre kostot e aktivitetit, ndërsa çmimi i karburantit mbetet i lartë.

Përveç pagesës së kompensimit për tre muajt e kaluar, ata kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vijojë edhe pas muajit maj, për sa kohë çmimet e karburantit mbeten në nivele të larta.

Operatoret thonë se reduktimi i numrit te mjeteve urbane në qarkullim do të ndikonte në frekuencën e autobusëve dhe kapacitetin e transportit publik, duke prekur drejtpërdrejt qytetarët.

Gjithashtu ata shprehen se kërkojnë ndërhyrje urgjente për disbursimin e kompensimit të miratuar dhe një vendim për vijimin e mbështetjes financiare.