Duke filluar nga ora 09:00 deri në 18:00 të ditës së nesërme, 7 mars, do të ketë vonesa dhe ndërprerje të herëpashershme të punës në pikat e kalimit kufitar në palën greke.

Lajmin e ka dhënë Policia e Shtetit përmes një njoftimi, ku njofton qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë apo anasjelltas.

Vonesat dhe ndërprejret e shërbimit do të bëhen me qëllim instalimin e sistemit të ri SIS.

Njoftimi i plotë

Policia e Shtetit

Njoftojmë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë apo anasjelltas, se nga ora 09:00 deri në orën 18:00 të datës 07.03.2023, në pikat e kalimit kufitar në palën greke, për shkak se do të kryen punime në sistemin e përpunimit të të dhënave, me qëllim instalimin e sistemit të ri SIS, do të ketë vonesa dhe ndërprerje të herëpashershme të punës.

Nuk do të kenë pengesa për të kaluar vetëm shtetasit grekë dhe shtetasit që kanë leje qëndrimi në Greqi.

Për të mos krijuar radhë, pritje të gjata dhe konfuzion në pikat e kalimit kufitar, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjet drejt pikave të kalimit kufitar me Greqinë, në harkun kohor 09:00 – 18:00, të datës 07.03.2023.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re