Deklarojnë se e duan e votën e diasporës por deri më tani nuk është hedhur asnjë hap për bërjen e saj. Mosdakordësia qeveri dhe opozitë është pasuruar me një tjetër, ajo se kujt i takon të përgatisë bazën ligjore që i jep mundësi shqiptarëve që jetojnë jashtë të votojnë nga aty ku jetojnë.

 

Socialistët dhe deputetët demokratë mbështetës të Sali Berishës kërkojnë që vota e diasporës të jetë ekskluzivitet i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa për demokratët e Lulzim Bashës duhet të jetë Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, siç e kërkon edhe Gjykata Kushtetuese.

 

Në vendimin e saj ajo ia la detyrë “Zgjedhores”, që deri në janarin e 2024 të ndërmarrë të gjitha ndryshimet ligjore që në parlamentaret e ardhshme diaspora të votojë në distancë, pa qenë e nevojshme të kthehet në atdhe.

 

DAMIAN GJIKNURI

BASHKEKRYETAR PER REFORMEN ZGJEDHORE, PS

 

Nuk mund të imponojë GJK parlamentin të miratojë një ligj që do shumicë të cilësuar dhe konsensuin e të gjitha palëve. Pyetja shtrohet, po nëse të gjitha palët nuk gjejnë dakordësi, çfarë do të bëjë Gjykata Kushtetuese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka të gjitha mundësitë.

 

OERD BYLYKBASHI

ANETAR I KOMISIONIT PER REFORMEN ZGJEDHORE, PD

 

Autoritetet kopetente, KQZ dhe Ministra e Brendshme, pra qeveria duhet të mos humbin fare kohë.

 

ENKELEJD ALIBEAJ

BASHKEKRYETAR PER REFORMEN ZGJEDHORE, PD

 

Kërkesa e Z. Celibashi që kërkon nidhmën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, është e udhës, që po. Vendimi i palëve politike është i rëndësishëm, së paku në atë që i përket draftimit të detajur të rregullave në kodin zgjedhor.

 

Diskutimet për votë e diasporës në tryezën e thirrur nga KQZ me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sherrosën demokratët mes njëri tjetrit. Nga opozita KQZ përcaktoi si folëse të parë Jorida Tabakun por u kundërshtua nga Enkelejd Alibeaj me argumentin se ai është bashkëkryetar i “Zgjedhores” dhe i takon të flasë pas homologut të tij socialist Damian Gjiknuri.

 

Betejën mes bluve e fitoi Enkelejd Alibeaj me vendim të arbtrit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

Katër muaj nga skadimi i afatit të venë nga “Kushtetuesja” mbetet për tu parë se kujt do t’i ngelet topi në derë KQZ-së apo “Zgjedhores”, e thënë ndryshe kush do të mbajë përgjegjësinë e suksesit apo dështimit të votës së Diasporës, e sanksionuar prej 2020-ës në kodin zgjedhor dhe e premtuar  prej 2013 me ardhjen e socialistëve në pushtet. Sinjalin e parë se kush do të lajë duart nga “Diaspora” e dha Ilirjan Celibashi.

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Për kuvendin e Shqipërisë nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë sanksion nëse nuk e zbaton këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re