Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Për Reformën Zgjedhore është ndalur te vota e emigrantëve, ku iu drejtua Damian Gjiknurit duke i thënë se shqiptarëve ua kanë hequr me procedurë mundësinë e votimit.

Lapaj tha se ka propozuar në Kuvend një draftligj për votën e emigrantëve, ndërsa shtoi se nëse kërkohet databazë për ta, nuk do të aplikohet kurrë.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ka probleme kushtetuese, që do të thotë se çdo palë zgjedhje që do të mbahen kundërshtim me përcaktimin vendimit të gjykatës kushtetuese do të deklarohen antikushtetuese. Për pasojë, ju zoti Gjiknuri do të jeni përgjegjës për 40 milionë euro të shtetit shqiptar, sepse shpallja e zgjedhjeve të pavlefshme. Shqiptarët në emigracion që i keni gënjyer dhe ua keni hequr mundësinë me procedurë, është përgjegjësi e juaja politike.

Ne kemi propozuar një draft-ligj për votën e emigrantëve, ku përcaktohet qartë procedura. Dëgjohet se duhet databazë që të regjistrohen, por ju zoti Gjiknuri më gjeni një vend të botë që ka databazë. As Kosova nuk e ka dhe votojnë sepse nuk është kjo praktikë. Me këtë qasje që ju keni, i bie që vota e emigrantëve të mos aplikohet kurrë”, tha Lapaj.

Ai tha gjithashtu se iu drejtua dhe bashkëkryetarit tjetër, Enkelejd Alibeajt, duke i thënë se i ka pëlqyer draftin e PD-së, por tha se nuk ishin adresuar disa çështje.

“Në lidhje me votën e diasporës, zoti Alibeaj, kem dorëzuar një projektligj dhe jemi të hapur të diskutojmë sepse nuk është më e mira në botë. Jemi me duar e këmbë për votën e diasporës. Në lidhje me hapjen e listave, kemi dorëzuar një projektligj në Kuvend që mendojmë se është i mirë. E kam lexuar dhe draftin tuaj, bie dakord me një pjesë shumë të madhe, por i yni sjell në vëmendje disa çështje që ndoshta ju kanë shkarë. Edhe me votën elektronike jemi pro, të hiqet konflikti. Këto zgjedhje, nëse nuk adresohen këto probleme, kanë apriori të lartë për të qenë atikushtetuese”, tha Lapaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re