Banorët e një pallati në zonën e Xhamllikut në Tiranë, protestojnë me pretendimin se u është bllokuar hyrja në apartamente nga një biznes që po zgjerohet në katin e parë. Në vendngjarja janë bllokuar punimet ndërsa policia ka mbërritur për të mos lejuar konfrontimet mes palëve.

Në intervistat dhe deklaratat e tyre për gazetarin e Fax News Fatjon Gjinaj, thotnë se pas ankesave të tyre, IKMT ka vendosur pezullimin e punimeve, mirëpo ky vendim ka rënë në vesh të shurdhët, dhe pronari i biznesit pretendon se ka leje nga drejtoresha e bashkisë së Tiranës Frida Pashako.

Ajo që është edhe më shqetësuese sipas banorëve, është fakti se ky pallat ka pasur dëmtime edhe nga tërmeti i rënë dy vite më parë, dhe biznesi në fjalë është duke ndërhyrë në muret e katit të parë të pallatit.

Qytetarët apelojnë që të ndërhyhet sa më parë në punimet e këtij biznesi, pasi rrezikohet që të cëonohet siguria e të gjitha banesave. Drejtori i IKMT-së Mariglen Qato në shkresën që u ka dërguar banorëve thotë se punimet nuk mund të bëhen pa dakordësinë e tyre.

Banorët pretendojnë se biznesi në fjalë nuk ka dërguar asnjë inxhinier që të mund tiu japë siguri që punimet në katin e parë nuk cënojnë strukturën mbajtëse të të gjithë godinës.

“Nuk po qesim dot të vdekurit nga shtëpitë tonë, i deshën votat ua dhamë, tani çfarë do bëjmë ne, jemi 18 familje, ti thërrasin trurit. Kemi pasur lulishte, zotërinjtë na e mbyllën hyrjen, një pallat tre lokale, nuk po lënë një cm të pallatit pa shfrytëzuar. Ta dijë zoti kryetari i Bashkisë, ne po e paralajmërojmë, nëse nuk e zgjidh shteti, ne do ta djegim këtë, nuk e lëmë që ta bëjë.

Ka ardhur vetë Qato dhe i ka thënë që kjo nuk bëhet, se i takon banorëve. Zotëria që po drejton nuk është banor i pallatit, ka çarë muret, edhe ai pallati në Durrës kështu u shemb. Ta dijë kryetari i bashkisë, kryeministri dhe të gjithë, ne po nuk e zgjidhi shteti do ti vëmë flakën. Nuk kemi ku dalim mo”, shprehet një prej banoreve.

“Vjen policia ulet në kafe me ato, vjen IMT ulet në kafe me ato, po ne e kemi pronën tonë, nuk mund ta lejojmë këtë”, thotë një tjetër qytetare.

“Nuk po marrim dot frymë, ne kërkojmë që të na vijë këtu vetë Erion Veliaj. Po na tha ai që biznesi ka të drejtë ne e jepim firmën”.

“Ne Edi Ramën e kemi votuar dhe do ta votojmë prapë, se na hoqi pijanecët dhe kioskat që kishim këtu, por tani po na e bëjnë me keq”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re