Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat tha se për zgjedhjet e 14 majit në rang vendi janë vendosur rreth 5212 qendra votimi dhe ka përfunduar procesi i përgatitjes për caktimin e vendit ku do të numërohen votat.

Celibashi tha se KQZ do të garantojë integritet në këto zgjedhje dhe se janë vendosur kamera në çdo tavolinë numërimi, ku tha se votimi elektronik në bashkitë si Kamza, Vora dhe Elbasani do të mundësojë që rezultati të finalizohet jo më vonë se 30 minuta pasi të mbyllet procesi.

“Sot kemi nisur shpërndarjen e bazës materiale, për zgjedhjet. Janë 5212 qendra votimi në rang vendi, kemi marrë vendim për të shtuar dhe një qendër tjetër. Me përjashtim të 61 qendrave votimit që janë më 6 anëtarë, 57 janë me 5 anëtarë, 79 janë me 4 anëtarë dhe 17 janë me 3 anëtarë, të gjitha qendrat e tjera janë me 7 anëtarë. Partia Social Demokrate nuk ka sjellë propozim për 450 qendra votimi, PD për 422 qendra votimi dhe PL për 75 qendra votimi. Kemi përfunduar procesin e përgatitjes së vendit të numërimit të votave në 92 KZAZ. Kemi instaluar pajisjet që garantojnë integritetin e informacionit, procesi i numërimit është i mbikëqyrur në gjithë aspektin e tij, edhe nga KQZ nga kamerat që janë të vendosura në çdo tavolinë numërimi. Kemi ndërtuar protokolle të ndryshme për të sjellë garanci në këtë proces.

Kemi përfunduar procesin e rekrutimit të operatorëve, janë 420 operatorë të cilët do monitorojnë procesin elektronik. Janë rreth 18 qendra votimi të cilat nuk kanë mbulim me internet, por kemi marrë masa aty ku nuk ka rrjet. Kemi përshtatur zgjidhje alternative që të kemi rezultat, për bashkitë Kamëz, Vorë dhe Elbasan që rezultati të dalë jo më vonë se 30 minuta pas mbylljes. Procesi është 100 i sigurtë”, tha ai.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re