Bundestagu gjerman ka votuar pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, por duke e kushtëzuar këtë vendim me plot nëntë kushte të rënda për vendin tonë. Ndryshe është vepruar me Maqedoninë e Veriut, për të cilën është votuar pro hapjes së negociatave, pa asnjë kusht.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, një njeri që shquhet për optimizmin e tij edhe kur situatat nuk janë tepër të favorshme, ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale, për këtë “lajm të madh”. Por, në statusin e zotit Soreca, të krijohet përshtypja se ndaj Shqipëria dhe Maqedonisë së Veriut,  është marrë një vendim i ngjashëm nga parlamentarët gjermanë.

“Bundestagu gjerman ka votuar këtë mbrëmje në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Tetor“, shkruan zoti Soreca, duke bashkëngjitur edhe reagimin e Johannes Hahn.

Por, në të vërtetë, Shqipëria është veçuar nga fqinji i saj, duke iu vendosur nëntë kushte, lidhur me luftën ndaj korrupsionit, ndëshkimin e personave që kanë marrë pjesë në shitblerjen e votës, apo implementimin e reformës zgjedhore, kushte këto të cilat do të duan kohë dhe përpjekje titanike nga qeveria për t’u përmbushur.
Ndaj, përpara se të hapë shampanjën për të festuar, ambasadori ndoshta duhet t’ju bëjë thirrje aktorëve politikë, të nisin punën për përmbushjen e këtyre kushteve, ekzistenca e të cilëve,  dëshmon dështimin spektakolar të qeverisë shqiptare.

/TPZ.al/

Kushtet e vendosura ndaj Shqipërisë:

– funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese

– miratimi i reformës zgjedhore;

– implementimi i reformës zgjedhore;

– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;

– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;

– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,

– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;

– përparime në reformën e administratës publike;

– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re