Nga Kukësi ku ka nisur procesi i votimit të kandidatëve për deputetë, numri dy i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për këtë parti por edhe për vendin.

Sipas tij, ndryshe nga Partia e “kryeministrit në ikje ku kandidatët i vendos Niçja dhe shokët e tij”, në Partinë Demokratike ata i përzgjedhin qytetarët.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së ftoi anëtarësinë e PD-së që të votojë masivisht.

“Sot Partia Demokratike nis fushatën elektorale me një hap të madh për fitoren e thellë të zgjedhjeve me hapin e përzgjedhjes së ekipit më të mirë. Sot qytetarët shqiptarë, me këtë proces që e nisim nga Kukësi, kanë mundësi të shohin dallimin, midis Partisë Demokratike që përzgjedhjen e kandidatëve ia beson qytetarëve dhe partisë së kryeministrit në ikje që kandidatët i përzgjedh me Niçen dhe shokët e tij.

Dua t’i bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Demokratike të marrë pjesë në këtë proces që ndodh për herë të parë në një parti politike, ku vullneti i qytetarëve shqiptarë do të përcaktojë ekipin me të cilin ne do t’u kërkojmë votën qytetarëve. Zëri i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kandidatët që zgjidhen nga anëtarët do të jenë njerëzit që do të punojnë për ta. Ky është një dallim i qartë midis partisë tonë dhe partisë në ikje.

Do të ishte shumë mirë sikur të gjithë partitë të ndiqnin një proces të ngjashëm që kandidatët të mos ua caktonte krimi i organizuar dhe paratë e pista. Ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike”- tha Bardhi. 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re