Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka votuar vetëm pak minuta më parë në qendrën e votimit 1734/1 që gjendet në ambientet e Shkollës Teknike Ekonomike. I shoqëruar edhe nga mbesa e tij, ai ka ushtruar të drejtën e votëës, ndërsa pas votimit u shpreh se kjo ishte një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari.

“Kreva detyrën kushtetuese që çdo qytetar ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Sigurisht për t’u zgjedhur unë tani e kam kaluar atë moshën time, por për të zgjedhur kam të drejtë”, tha Moisiu.

Ai theksoi se pavarësisht se opozita kryesore mungon në këto zgjedhje qytetarët duhet të kenë të drejtën për zgjedhur drejtuesit e pushtetit vendor.

“Opozita tradicionale mungon, edhe kjo sigurisht nuk është një gjë e mirë, por ishte e drejta e vendimit të drejtuesve të partive opozitare, të dy partive kryesore që janë në opozitë. Unë e thashë edhe mbrëmë në një televizion, që për mua kjo ka qenë një fatkeqësi.

Nuk duhet të ndodhte. As duhet të linin mandatet, por janë shenja të demokratizimit. S’mund të ecet përpara pa zgjedhur qoftë pushtetin lokal, qoftë dhe pushtetin qendror.

Ne çdo dy vjet kemi zgjedhje. Edhe isha dakord që këto zgjedhje të zhvillohen në kohën e përcaktuar nga dekreti i Presidenti të Republikës, 30 qershori, sepse mos zbatimi i kësaj date do krijonte një precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen.

Atëherë ne do kishim destabilizim në sistemin zgjedhor, destabilizim të zgjedhjeve, çdo zgjedhje do kishte probleme nga forcat politike pjesëmarrëse”, tha u shpreh Moisiu.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re