Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh qytetarëve në mbylljen e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ku i ka kërkuar të votojnë kandidatët e dalë nga “Primaret”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se shqiptarët nuk janë popull i mafies dhe krimit, siç mund të jenë pasqyruar kohët e fundit dhe u kërkoi atyre që në 14 maj të lënë mënjanë indiferencën dhe të votojnë ndryshimin.

Sipas Berishës, në këtë fushatë është folur sesi të ndalohet shpopullimi masiv i shqiptarëve dhe varfëria, që sipas tij, është absurde që të flitej për këto gjëra në vitin 2023.

“Kandidatët e Primareve janë kandidatët e fitores, kandidatët e lirisë. Të dashur qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Sot është një natë e veçantë në historinë e përpjekjeve tona për liri dhe dinjitet. Sot ne mbyllim fushatën dhe ja dolëm të bindnim shqiptarët që të vendosim së bashku në 14 maj të votojnë ndryshimin, të votojnë kandidatët tanë të fitores. Të votojnë Belind Këlliçin në Tiranë, Luçiano Boçin në Elbasan, Igli Carën në Durrës…

Të votojnë qytetarët e tyre të mrekullueshëm, me bindjen se projekti i tyre është projkti i shndërrimit të bashkive të tyre, në shërbim të komunitetit. Tek flas para jush, mendja më shkon te fushata e vitit 2013, ku forcat politike konkurronin me një program se cila nga forcat politike do të udhëhiqte më mirë Shqipërinë. Ndaluni sot, shihni këtë fushatë. Sot ne flasim sesi të ndalojmë varfërinë e frikshme, sesi të frenojmë largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.

Sesi të mbrojmë pluralizmin. Sesi të mbrojmë vokacionin perëndimor të kombit tonë, sesi të ruajmë nordin tonë drejt Brukselit, në një kohë që sekti tjetër e hapin fushatën me eksploziv, e mbyllën me arrestime, vazhdoi fushatën me tallava, me sharje ordinere për kundërshtarët. Vazhdoi fushatën se në Bruksel do të shkojë si vasal i Beogradit.

Përpara vuajtjes së çdo nëne që në mëngjes mendon se me çfarë do të ushqejë fëmijën e vetë çdo mëngjes, kjo fushatë ka një rëndësi vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ndaj dhe unë kam një mesazh sonte, për çdo demokrate dhe demokrat, të gjithë kudo që jeni, më 14 maj të votoni kandidatët e primareve, të votoni 1. 1 është fati që shkatërron Raman, që përmbys pluralizmin.

Nuk jeni ju njerëz të krimit, nuk jeni ju populli i mafies, ju jeni popull i ndershëm që besoni në demokracinë dhe vlerat e saj. Të gjithë qytetarët pa parti të hedhin në një anë indiferencën, ajo është fatale për Shqipërinë. 10 vite ngricë, varfëri në rritje, dimër”, u shpreh Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re