Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për dënimin me burg përjetë pët Florenc Çapjan dhe xhaxhanë e tij, Ardjan Çapja, i njohur edhe si kreu i grupit kriminal “Çapja” në Elbasan.
Ata janë shpallur fajtor për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012.
Treshja e gjyqtarëve e përbërë nga Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Enton Dhimitri rrëzuan rekursin e paraqitur nga Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli, Ervis Bardhi duke miratuar vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023.
Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani u dënuan me 25 vite heqje lirie, ndërsa Ervis Bardhi me 15 vjet heqje lirie.
Si ndodhi ekzekutimi i babë e bir
Gjithçka nisi pas vrasjes së Sokol Çapjas në Elbasan, më 26 dhjetor të vitit 2005, në një lokal pranë universitetit të Elbasanit.
Autorët pasi hynë në lokal iu kërkuan të klientëve që të shtriheshin ndërsa iu drejtuan Sokol Çapjes dhe e plagosën atë, i cili më pas vdiq në spital.
Të dyshuar për këtë krim, policia arrestoi Armand Hasanin, kunati i Fadil Memës Dritan Shemen, si dhe Gentian Beqirin, i njohur edhe me emrin Ardian Meta.
Gentian dhe Nezir Beqiri u ekzekutuan në shtëpinë e tyre në 15 gusht 2012, nga Jorgo Leku në bashkëpunim me Etien Canin. Ata ishin paraqitur në shtëpinë e Nezir Beqirit si miqtë e djalit, Gentianit i cili ndodhej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë pasi ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Elbasan.
Etien Cani bashkë me Lekun, shkuan në shtëpinë e shokut të tyre Gentian Beqiri, duke përshëndetur policët e vendosur në hyrje të pallatit për të mbikëqyrur Nezirin. Ishte babai i shokut të tyre ai që i hapi derën pasi njohu shokët e djalit. Në atë moment Cani qëlloi me armë ndaj Beqirit duke e lënë të vdekur në vend.
Disa vite më vonë u ekzekutua në Elbasan edhe Astrit Beqiri. Ai u gjet u vrarë pranë një karburanti në prill të vitit të shkuar në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan.



