Skip to content

“Vrapim me ëndrra në zemër”, Luiza Gega triumfon në Roverto

Luiza Gega me flamurin shqiptar gjatë përfundimit të garës

“Një atlet duhet të vrapojë me ëndrrat në zemër e jo me paratë në xhep”, ka qenë një shprehje e famshme e vrapuesit çekosllovak Emil Zatopek dhe në atletikën shqiptare ka një emër që ka vrapuar gjithmonë me ëndrra të mëdha, Luiza Gega.

E vetme, 30-vjeçarja ka mbajtur gjallë atletikën në Shqipëri duke thyer jo vetëm rekorde të njëpasnjëshme, por njëkohësisht duke bërë të rëndësishme atletikën shqiptare në vitet e fundit, bashkë me Izmir Smajlajn, aq sa në garën e saj të fundit në Rovereto, ku arriti të triumfojë në 3 mijë metra me pengesa, diçka e rrallë për një europiane dhe ishte një kënaqësi tek dëgjoje komentatorin e Rai Sport ta evidentonte diçka të tillë.

Pak javë më parë, në Shkup, Luiza regjistroi një tjetër arritje duke siguruar me kohën 9 minuta 25 sekonda e 79 të qindtat kualifikimin për në Olimpiadën e Tokios, diçka e jashtëzakonshme dhe e pamenduar për një atlet shqiptar.

Dekada e fundit në sportin e Atletikës, e sidomos pas vitet 90-të në Shqipëri, është identifikuar kryesisht me emrin e saj, aq sa duket paradoksale që një vend i vogël si Shqipëria, të konkurrojë në garat e distancave të thellësisë me emra të mëdhenj të këtij sporti, që vijnë nga Kenia, Etiopia apo nga vende të ndryshme afrikane, që kanë mbështetjen, kushtet dhe traditën.

Sukseset e Luiza Gegës, së fundmi në Shkup, por dhe Rovereto janë jo vetëm një triumf i saj, por dhe fitore e atletikës dhe atij vrapimi me ëndrra në zemër, që evidentonte Emil Zatopek, edhe pse thënë në mesin e viteve 50-të është paksa jashtë mode, vetëm në pjesën e fundit të saj, pasi në atletikën e sotme pasi ke realizuar ëndrrat ke merituar dhe paratë në xhep.