Dëshmitë e tre të burgosurve shqiptarë, të dënuar për vrasje, konsiderohen si deçizive në zbardhjen e ekzekutimit mafioz të avokatit të njohur grek, Mihalis Zafiropulos dy javë më parë.
 
Policia greke ka transferuar nga burgu i sigurisë së lartë të Koridhalosit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Athinë, të dënuarit për t’i marrë në pyetje. Këta të fundit, sipas uniformave blu, dyshohet se kanë kryer rolin e ndërmjetësit. Ata kanë koordinuar lidhjet  midis porositësit të vrasjes dhe “killerit” me pagesë të penalistit të njohur grek Zafiropulos.
 
Sikurse bëhet me dije nga policia, ekzekutorët e avokatit në Athinë nuk kanë patur urdhër për ta vrarë atë, por kishin si qëllim parësor intimidimin e tij.
 
Por pas debateve në zyrën e avokatit situata është përshkallëzuar dhe autorët e kanë ekzekutuar atë me dy plumba, një në kokë dhe një në kraharor.
 
Më herët dhe tre shqiptarët e burgosur, kanë qenë pjesë e një vrasje të mbetur në tentativë të avokatit tjetër penalist, Jorgos Andonopulos, koleg me Zafiropulos.
 
Këta të fundit, u arrestuan në vitin 2014, pasi Arbër Bako hapi zjarr me kallashnikov brenda një bari, duke plagosur 15 vetë. Dy shqiptarët e tjerë, bashkëpunëtorë të Arbërit, njihen si “Olti” dhe “Klodi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re