Vrasësi i 14-vjeçares Vanja Gorcevka nga Shkupi, Ljupço Palevski është vënë në prangat e policisë pas një jave në arrati.

 

Lajmin e bëri të ditur ministri i punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut,  Oliver Spasovski.

 

OLIVER SPASOVSKI 

MINISTËR I BRENDSHËM i RMV

 

“Jemi njoftuar nga kolegët turk se planifikuesi, organizatori kryesor dhe ekzekutuesi i drejtpërdrejtë i vrasjes së Vanja Gjorcevska dhe Pançe Zhezovskit është kapur dhe është vënë në pranga në territorin e tyre”

 

Ministri, i cili në konferencën për media shfaqi edhe fotografi të Palevskit të bëra nga autoritetet turke, bëri të ditur edhe itinerarin që vrasësi ndoqi për tu arratisur nga Maqedonia e Veriut, tre ditë pas ngjarjes.

 

“Ai u dërgua me makinë në Serbi, nga ku ka udhëtuar përmes Bullgarisë në Turqi, ku dhe është kapur nga autoritetet turke në qytetin Balıkesir, duke ecur në këmbë përgjatë autostradës”

 

Ministri Spasovski bëri të ditur gjithashtu se pas arrestimit, ka nisur menjëherë procedura e ekstradimit për të dyshuarin.

 

Ljupco Palevski, kryetar i një partie të vogël dhe personazh mediatik në Shkup, së bashku me 4 persona të tjerë rrëmbeu nga banesa 14 -vjeçaren Vanja Gjorcevska  dhe më pas e vrau atë. Në të njëjtën ditë, Palevski vrau edhe një 74-vjeçar të cilit i mori automjetin për të kryer më pas rrëmbimin.

 

Mes personave të dyshuar për ekzekutimin e së miturës është edhe babai i saj, i cili gjithashtu është vendosur në pranga. Ky i fundit duket se nuk është penduar për krimin tronditës.

 

Siç bëhet e ditur nga autoritetet maqedonase, vajza u mor peng për t’i vënë gjobë nënës së saj, e cila kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash nga shitja e një banese. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re