Skip to content

Vrasja e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari, reagon shkolla “Fan Noli”: Qofsh i parajsës, engjëll! 9 vite shkollë me të, s’do ta shohim më!

Shkolla 9-vjeçare “Fan Noli” ka reaguar pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u godit me thikë në zemër pas një sherri me bashkëmoshatarët e tij mesditën e djeshme, pasi kishte mbaruar mësimin.

Në një reagim në Facebook, shkolla ‘Fan Noli’ , shkruan se u tronditën nga kjo ngjarje dhe shkolla do nisë ndryshe pa Martinin.

“Nesër shkolla fillon ndryshe, pa Martinin! Sot u tronditëm  të gjithë! Mësues, shokë e shoqe, çdo prind e çdo familje. Dhimbje e papërshkrueshme! 9 vite shkollë me të dhe që nesër në bankë s’do ta shohim më! Qofsh i parajsës, engjëll”, shkruan shkolla ‘Fan Noli’ në një reagim të bërë mbrëmjen e djeshme.

Kujojmë se Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit. Sipas policisë, i mituri i arrestuar edhe ai 14 vjeç, me iniciale M.P ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës.

Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

NGJARJA

Martin Cani, 14-vjeçar, ishte nxënës i shkollës “Fan Noli”, por ai ishte i aktivizuar edhe me futbollin, në klubin e “Dinamos” me moshat. Djali që kishte ëndërr të bëhej futbollist bashkë me shokun e tij, bien pre e një sulmi brutal të bashkëmoshatarëve të tyre.

Ndonëse policia ka bërë me dije se në sherr janë përfshirë vetëm 4 nxënës, në fakt dëshmitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se kanë qenë të paktën 7 fëmijë, ku i bie që grupi i dhunuesve të kenë qenë të paktën 5 persona.

Grupi që ka sulmuar, fillimisht është përleshur me dy djemtë, Martinin dhe Luisin dhe më pas kanë nxjerrë thikat, duke e goditur Martinin disa herë në pjesën e barkut, ku një goditje fatale iu ka dhënë në zemër.

Djali u mor i gjallë nga vendi i ngjarjes nga një grua, e cila më pas tregoi detaje rrëqethëse, ku edhe pas ngjarjes, ajo tregoi se atletet e Martinit i kishte në makinën e saj.

 

“”