Të tjera detaje janë zbardhur nga krimi i rëndë ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku një 24-vjeçare palestineze u gjet e vrarë me thikë në banesën e marrë me qira pranë bllokut të ambasadave.

Çifti palestinez Ryyan Alwan 24 vjeçe dhe bashkëshorti i saj, Fadi Alwan 49 vjeç, të cilët jetonin në Gjermani, kanë fluturuar nga Gjermania dhe kanë mbërritur në Rinas më datë 19 shkurt, ku në aeroport te kontrolli i pasaportës janë prezantuar me dokumente greke dhe më pas pasi kanë rezervuar një taksi kanë shkuar nga Rinasi te zona e rrugës së Kavajës dhe kanë marrë apartamentin me qira aty ku ndodhi edhe ngjarja.

Policia ka këqyrur kamerat e sigurisë në zonë dhe më datë 22 shkurt 49 vjeçari në pamje filmike shfaqet duke u larguar nga zona e rrugës së Kavajës dhe po më datë 22 shkurt është larguar në mbrëmje nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Greqisë.

Grupi hetimor ka dyshime të forta që edhe krimi ka ndodhur më datë 22 shkurt, pra 6 ditë më parë ku 49-vjeçari palestinez 25 vite më i madh se bashkëshortja e tij pasi fillimisht e ka dhunuar e ka vrarë me thikë dhe e ka mbuluar me një çarçaf dhe më pas ka marrë të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares dhe është larguar në drejtim të Greqisë.

Ende nuk dihet arsyeja se pse çifti palestinez që i përkisnin besimit islam kishin udhëtuar drejt Shqipërisë.

Dyshues për policinë është edhe fakti se ku kanë prenotuar banesën me qira nuk kanë dhënë dokument identifikimi pronarëve të banesës.

Njoftimi i policise

Tiranë

Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.

Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.

Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.

Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko