Avokatët në Serbi nisën një pezullim pune një javor në shenjë proteste ndaj vrasjes së kolegut të tyre, Dragosllav Misho Ognjanoviç, njoftoi Shoqata e Avokatëve të Serbisë.

“Është shpallur pezullimi i plotë i punës, që do të thotë se avokatët nuk do të përfshihen në ndonjë proces”, u tha në një deklaratë.

Në këtë mënyrë, avokatët dëshirojnë të dërgojnë, siç thanë ata, “një mesazh i qartë të unitetit profesional dhe një vendosmëri të fortë për të qenë me raste të tilla solidarë”, thuhet më tej në njoftimin e pezullimit të punës.

Madje është premtuar se vetë avokatët, në kuadër të shoqatës së tyre, do krijojnë një fond shpërblyes për çdokënd që do japë informacion mbi vrasësit e Ognjanoviçit.

Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Serbisë, Viktor Gostiljaç tha se ai do të kërkojë një takim urgjent me ministrin e drejtësisë dhe kreun e policisë, si dhe do të formojë një ekip të posaçëm hetimor, për të bërë të mundur gjetjen e autorëve.

“Ky do ishte një mesazh i qartë për këdo që mendon se mund të vrasë një avokat dhe të mbetet pa u ndëshkuar”, tha Gostiljaç.

Ognjanoviç u vra të shtunën në mbrëmje në Beograd, ndërsa i biri 26-vjeçar mbeti i plagosur.

Ognjanoviç ka qenë pjesë e një ekipi avokatësh që mbrojtën Millosheviçin, e po ashtu dhe disa figurave të tjera të krimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re