I kamufluar si motorist që shpërndan pica, ekzekutori i biznesmenit 56-vjeçar, Bujar Nasufi, ka pritur derisa bashkëshortja e viktimës ka dalë nga makina për ta qëlluar për vdekje.

Viktima mësohet se ishte larguar nga mobileria e tij në rrugën “Irfan Tomini” rreth orës 20:20 me automjetin e tij tip Benz ngjyrë gri dhe ka shkuar në drejtim të banesës në rrugën “Myrte Zeneli”.

Autori i maskuar, i cili po e ruante dhe priti deri sa bashkëshortja e 56-vjeçarit zbriti nga makina, e qëlloi ndërsa viktima po parkonte.

Drejt Bujar Nasufit u qëlluan 6 plumba nga një distancë e afërt, dy prej të cilave rezultuan fatale për jetën e biznesmenit.

Pista kryesore që po heton policia është ajo e konflikteve për pronat, pasi viktima nuk njihej si njeri problematik dhe s’kishte precedentë penalë.

Mësohet se familja Nasufi, me origjinë nga Berati, jetojnë prej kohës së diktaturës në zonën e Selitës së vogël dhe përbëhej nga 5 vëllezër, pronarë të disa bizneseve në rrugën “Irfan Tomini”.

Familjarët kanë deklaruar se pronat janë ndarë që herët dhe s’ka pasur probleme mes vëllezërve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re