Fax News rikthen në vëmendje vrasjen e biznesmenit të njohur në Himarë, Nikollaq Goro i njohur si Niko Goro nga Kleti Leka. Këtë herë, flet ekskluzivisht motra e tij, Marika, e cila mohon pretendimet e autorit, teksa rrëfen se i vëllai nuk i kishte asnjë detyrim.

Pas vrasjes së Nikollaqit në tetor të vitit të kaluar, 2 muaj më pas vdiq edhe e ëma e cila trashëgoi pasurinë e të birit dhe bashkëshortit. Por këtë herë, një tjetër gjë e ka detyruar të flasë për herë të parë Marika Goron për një media.

Problemi ka të bëjë me pronat, të cilat i kanë marrë në trashëgimi dy djemtë e Nikollaqit. Bashkëshorti i Marikës, Anesti Aleksi denoncon mjekun Jani Gjoka se ka lëshuar dokumente origjinale për shëndetin e nënës së saj, djemve të biznesmenit, pak kohë para se të ndahej nga jeta edhe ajo. Përmes këtyre dokumentave, djemtë kanë fituar trashëgiminë, ndërsa Marika thotë nuk ka marrë as pjesën që i takon nga prindërit.

Fax News ka siguruar edhe një audiopërgjim ku mjeku Gjoka tregon arsyet pse i ka firmosur këto dokumenta, ndërsa shprehet se ka tentuar që të ndihmojë dy djemtë që mbetën pa të atin e tyre.

Çifti jeton në Korfuz, ndërsa Marika thotë se nuk kërkon asgjë nga pasuria e të vëllait, por pjesën e saj nga prindërit.

“Vjehrra ime ka qenë në shtrat që prej beharit të kaluar, deri në momentin që vdiq. Në Tetor ndodhi ajo që ndodhi, në nëntor që vajtëm për 40-tat në Vlorë, i kishte bërë të gjitha letrat për të marrë mamanë. Të nesërmen Arisel Goro i tha se duhet të firmoste për pasurinë, ndryshe nuk do ta lëmë nënën që ta marrësh me vete.

Testamenti i vjehrrës që ia lë pasurinë djemve, është bërë 40 ditë përpara se ajo të vdiste, në një kohë kur ishte në një gjendje shumë të vështirë shëndetësore. Ne me të marrë testamentin u drejtuam te doktori Jani Gjoka, i cili në fund të Nëntorit të 2017 na dha një letër që ta çonim në Janinë, ku vjehrra u trajtua pas goditjes celebrale.

Doktori tha se historikun e sëmundjes së vjehrrës sime ia ka dhënë nipërit të bashkëshortes, i kërkova kartelën origjinale, dhe nuk pranoi që të na e jepte. Atyre ua dhashë tha se duhet të bënin testamentin”, shprehet Anesti Aleksi, ndërsa bashkëshortja sqaron se ajo do vetëm pjesën e pasurisë së prindërve të saj.

Edhe pse kupton momentin e vështirë që po kalojnë nipërit e saj, Marika Goro kërkon që të marrë pasurinë që i takon nga prindërit e saj, e cila është marrë vetëm prej nipërve.

“Faktikisht prona ka qenë familjare, nuk kemi pasur asnjëherë probleme, kërkoj pasurinë e prindërve të mi. Nipërit e mi janë djem të shkëlqyer, janë të shqetësuar që iu iku babai, atë e bëri doktori që iu dha letrat fëmijëve. Pasuria e babait tim është truall toke dhe shtëpi, pastaj pasuria që ka bërë vëllai im me gruan dhe fëmijët është e tij, unë kërkoj pjesën e nënës dhe babait tim”, tha Marika Goro.

Në audiopërgjimin e siguruar nga Fax News, mjeku Gjoka pranon se i ka dhënë kartelën origjinale të zonjës së ndjerë, nipërve të Marika Goros, të cilët e kanë përdorur më pas në shkrimin e testamentit në favor të tyre.

Zbardhet dëshmia/ Vrau biznesmenin në mes të Himarës, autori tregon si planifikoi gjithçka: Fjeta dy ditë në…

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re