VLORE– Pas afro 1 muaji nga vrasja e biznesmenit të kafesë në Vlorë, Vasil Dervishaj, policia ka ndaluar gjatë ditës së sotme Donel.Sh., 28 vjeç, banues në Vlorë. Sipas policisë, ndalimi i 28-vjecarit është bërë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin Nr.169 të datës 20 qershor 2018, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë ”Arrest në burg” për veprën penale ”Moskallëzim krimi”.

Ngjarja:Vrasja e biznesmenit të kafesë ndodhi në 4 qershor të këtij viti tek ish-kombinati i peshkut në lagjen ”Pavarësia’, ku i riu është qëlluar disa herë me armë nga persona ende të paidentifikuar në mjetin e tij tip ‘Ford’ me targa italiane “OD 476 AF” me të cilën po udhëtonte.

I riu ka tentuar të hapë derën e makinës për t’u larguar, por nuk ka mundur dot dhe ka ndërruar jetë jashtë mjetit të tij. Vasil Dervishaj ishte pronar i dy bizneseve në Vlorë si dhe tregtar kafeje.

Dy nga pistat kryesore ku po heton policia është ajo për shkak të konkurrencës si dhe për prishje të pazareve të drogës. 29-vjecari ka qenë i dënuar edhe më herët për trafik droge, ndërsa para një viti e gjysmë ka pasur një debat me një tregtar tjetër të kafesë.

Arrestimet pas ngjarjes:

Si rezultat i një punë të mire organizuar është bërë e mundur zbardhja në kohë rekord e ngjarjes, identifikimi i autorëve të cilët janë shpallur në kërkim si dhe kapja e arrestimi i shtetasve të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes.

Konkretisht, janë shpallur në kërkim dy autorët, të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjen e 29-vjeçarit:

Ø     E.A., 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë;

Ø     A.C., 28 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.

Në vijim të veprimeve hetimore është kryer arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Ø     Nekid Arapi, 21 vjeç, banues në Vlorë,

Ø     Amarildo Grembi (Muka), 28 vjeç, banues në Vlorë, të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes.

Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.

Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar:

–     një armë zjarri kallashnikov model 56, me një krëhër me fishekë.

–     një gëzhojë armë zjarri, model 9 mm,

–     një pjesë predhe armë zjarri e dëmtuar.

–     si dhe një automjet tip “Audi”, me të cilin dyshohet se janë larguar autorët pasi kanë kryer krimin.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në ngarkim të:

–     Shtetasve E.A., dhe A.C., për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 78, 25 dhe 278 të Kodit Penal.

–     Shtetasit Nekid Arapi dhe Amarildo Grembi për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal

(d.d/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re