Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në vend, vrasjes në Fier dhe grabitjes në Krujë.

Kreu i Shtetit deklaron se dënon me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, të cilat sipas tij përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve. Ai i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të marrin masa.

“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.

Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale”, deklaron Presidenti Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re