Një ditë pas vrasjes së babë e bir në Dukagjin të Shkodrës policia ka shoqëruar disa persona, ndërkohë që detaje të tjera kanë dalë në dritë.

 

Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe djali i tij Eduarti, 31 vjeç, po shkonin me fuoristradën e tyre drejt shtëpisë së djegur në Dukagjin, kur ende pa mbërritur tek banesa e shkrumbuar, persona të paidentifikuar u kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar me kallashnikov, duke i lënë të vdekur në vend brenda automjetit.

 

Sipas grupit hetimor, krimi i rëndë ka ndodhur në një në zonë të pyllëzuar, rreth 500 metra larg nga banesa e djegur e familjes Gurra.

 

Autorët mendohet të kenë patur informacionin e saktë se babë e bir po shkonin drejt banesës së tyre dhe e kanë menduar krimin në detaje. Pasi janë siguruar se ata kishin ndërruar jetë, autorët janë larguar në drejtim të paditur.

 

Dy janë pistat që po hetohen nga policia dhe prokuroria e Shkodrës. E para, ajo mbi konfliktet për kultivimin e kanabisit, ndërsa pista e dytë është ajo për lëndët drusore, pasi familja Gurra punonte prej vitesh duke bërë transportimin e saj nga Dukagjini drejt Shkodrës.

 

Megjithatë policia nuk përjashton edhe konflikte të tjera që Gjokë dhe Eduart Gurra mund të kenë pasur me persona të ndryshëm.

 

Zbardhja e ngjarjes mbetet e vështirë për shkak se forcat e policisë kanë mbërritur pas thuajse 3 orësh në vendngjarje, për shkak të rrugës së amortizuar në një terren të vështirë malor, çka i ka favorizuar autorët që të kryejnë vrasjen dhe të largohen në drejtim të paditur.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re