NIKOLETA KOVAÇI/ Masakra në Torremaggiore që ka për autor 45-vjeçarin Taulant Malaj ka trondit së tepërmi gjithë Italinë e kryesisht provincën e Foggias.

Jess jeton brenda nesh, përgjithmonë

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për ngjarjen duke u fokusuar tek akuzat që ka lëshuar mbi bashkëshorten e tij autori i krimit të rëndë, ndërkohë që ditën e sotme ai do të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndërkohë, grupi hetimor mësohet se ende nuk ka në duar autopsinë e viktimave që pritet të realizohen të enjten dhe të premten dhe po pas së premtes është fiksuar edhe koha kur do të merret dëshmia e gruas Tefta Malaj, e cila ka hedhur poshtë idenë e tradhtisë që ka dëshmuar i shoqi si shkak për masakrën me dy të vrarë.

Mediat italiane vijojnë të shkruajnë çdo ditë për ngjarjen, ndërsa dje kanë shkuar edhe në shkollën e Gessica-s, atje ku ishte vendosur një pankartë e madhe me mbishkrimin me shkronja të zeza: “Jess jeton brenda nesh, përgjithmonë 3A”. Po ashtu, ditën e djeshme ka qenë kryebashkiaku i Foggias, i cili ka përcjellë një mesazh publik me mjaft domethënie jo vetëm për komunitetin në të cilin jetojnë, por për këdo që ka në telefonin e tij pamje që lëndojnë familjet e dy viktimave. Ai i bëri thirrje komunitetit që drejton që të mos jenë indiferentë ndaj një tragjedia kaq të rëndë, si dhe të respektohen familjet e viktimave duke fshirë imazhet “tamtame” që janë shpërndarë pas atij akti horror.

VAZHDON RRËFIMI I VRASËSIT

“Nuk pashë gjë. Para meje kisha figura të zeza. Ishte krejt errësirë dhe djallin e kisha në mendje”. Kështu do të vijonte rrëfimin 45-vjeçari Taulant Malaj, me origjinë shqiptare, me banim në Torremaggiore, në provincën e Foggia-s, duke treguar vrasjen e dyfishtë para prokurorëve që e morën në pyetje në Komisariatin e San Severo, shkruajnë mediat vendase. Ai vrau për xhelozi 51-vjeçarin Massimo De Santis, tregtar dhe më pas me të njëjtën thikë kuzhine u hodh mbi vajzën e tij 16-vjeçare Gessica, e cila u qëllua për vdekje në përpjekje për të qetësuar të atin teksa po sulmonte nënën e saj. “Gruaja ime pranoi se kishte një lidhje me Massimon. Më kishte kërkuar falje për këtë lidhje, por unë doja të ndahesha”, ka shtuar ai më pas, sipas të dhënave të bëra publike nga dy avokatët e shqiptarit të arrestuar, Michele Maiellaro dhe Giacomo Lattanzio. Seanca për vleftësimin e masës së paraburgimit të Taulant Malajt do të mbahet paraditen e sotme. I dyshuari ndodhet në burg që nga e diela. Gruaja e tij, e plagosur rëndë, ndodhet në spital me një prognozë konfidenciale; gjendja e saj shëndetësore ende nuk e lejon të flasë me hetuesit dhe për këtë fakt pritet të nisin seancat e pyetjeve pas të premtes.

VERSIONI I AUTORIT

Mediat italiane tregojnë se sipas rrëfimit të bukëpjekësit, ditët e fundit kishte pasur një diskutim në familje, gjithmonë për tradhtinë e pretenduar, në fund të cilit burri kishte thënë se donte të ndahej. Megjithatë, gruaja e tij e bindi të qëndronte në shtëpi. Duket se Malaj – sërish sipas rrëfimit të tij – e kishte parë disa herë gruan e tij me kalimin e kohës në katin e tretë të pallatit ku banonte gjoja i dashuri. Megjithatë, do të kishte ndodhur diçka tjetër, gjithmonë sipas historisë që vrasësi i dyshuar i ka thënë prokurorit. Ndërsa burri dhe gruaja ishin në shtrat, gruaja dyshohet se filloi të bisedonte me dikë. Burri dyshues, thotë se ka parë telefonin e gruas dhe ka zbuluar se ajo po bisedonte me fqinjin, Massimo. Pas pak, ai doli nga shtëpia dhe priti që Massimo të kthehej në shtëpi nga lokali. Sapo burri hyri në derë, e goditi për vdekje me njëzet goditje në gjoks, bark dhe kokë. Sipas asaj, që u raportua nga avokatët, Malaj në fakt i tha prokurorit se “fillimisht kishte vrarë Massimon”, më pas ishte ngjitur në shtëpinë ku filloi të godiste me thikë gruan dhe më pas vajzën e tij, e cila po tentonte të mbronte nënën e saj. “Në atë moment, i verbuar nga inati – raportojnë mbrojtësit – ai nuk e kuptoi se ishte përballë vajzës së tij dhe filloi ta godiste”. Dy avokatët flasin për “një lidhje të fortë mes autorit të rrëfyer dhe fëmijëve të tij”, 16- vjeçares dhe djalit 5-vjeçar.

DETAJE TË REJA PËR VRASJEN E DYFISHTË

Ndërkohë, dalin detaje të reja, të frikshme për vrasjen e dyfishtë që ndodhi rreth orës dy të mëngjesit, mes datave 6 dhe 7 maj, në “Via Togliatti”, ku burri jetonte me familjen e tij. Djali tjetër i Taulant Malajt, 5-vjeçari, shpëtoi veten nga tërbimi vrastar i të atit, duke u fshehur pas divanit në dhomën e ndenjjes së shtëpisë. Sipas asaj që mësojmë, vrasësi ka qenë shumë i lidhur me djalin e tij të vogël: këtë e dëshmojnë fotot e shumta të publikuara me fëmijën në profilin e tij në “Facebook”, shkruajnë mediat italiane. Mbrëmjen e së shtunës, pas masakrës, të parët që kanë mbërritur në shtëpinë e familjes Malaj ishin vëllai i vrasësit dhe bashkëshortja e tij, ata e gjetën fëmijën të fshehur pas divanit. Ky i fundit, në momentin e mbërritjes së karabinierëve ka qenë në krahët e xhaxhait të tij në gjendje të dukshme shoku. Fëmija iu besua çiftit. Më tej, për të konstatuar ekzistencën e lidhjes së dyshuar jashtëmartesore dhe shkëmbimin e mesazheve në një bisedë mes bashkëshortes së vrasësit dhe viktimës, hetuesit kanë sekuestruar celularët e gruas, bashkëshortit dhe vajzës së saj. Policia po heton edhe videon e xhiruar me celularin e vrasësit dhe më pas i është dërguar një bashkatdhetari me banim në Veri të Italisë, i cili ka lajmëruar Policinë. Në filmimin me pamje të papërpunuara, që po qarkullon në disa biseda në “WhatsApp”, ai i drejtohet edhe gruas së plagosur në gjuhën shqipe!

MESAZHET

Një qytet dhe një kompleks i tërë shkollor janë në zi në Torremaggiore për vdekjen tragjike të Gessica Malajt dhe Massimo De Santis. “Jess jeton brenda nesh. Përgjithmonë 3A”. Është shkrimi, me zemër, i bërë në një fletë nga shokët e klasës. Dje në mëngjes, miqtë që ndjekin të 3 A të Liceut Klasik “FianiLeccisotti” vendosën pankartën në asfalt përpara hyrjes së institutit, duke u grumbulluar rreth shkrimit në kujtim të shoqes së klasës. Edhe kryetari i Bashkisë Torremaggiore, në provincën e Foggia, Emilio Di Pumpo, shprehu dhimbjen e komunitetit dhe nisi një apel: “Torremaggiore sot qan për dy jetë të rinjsh të marra në një tragjedi të tmerrshme që nuk mund të na lërë indiferentë. ndjenjën e përgjegjësisë së të gjithëve dhe kërkoj respektin maksimal për familjet e përfshira. Ftoj këdo që ka marrë video dhe/ose imazhe të papërshtatshme të bllokojë menjëherë këtë tamtam mesazhesh”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re