NIKOLETA KOVAÇI/ Efektivi i Policisë qëllohet me plumb në kokë dhe humb jetën në vendin e ngjarjes. Akti i rëndë ndodhi mesditën e djeshme, teksa i riu Novruz Cenalia, sapo kishte marrë rrugën në drejtim të punës.

Ai ishte i veshur me rroba policie, por fati i keq e ka përballur në rrugë me të riun Azgan Mernica. Dyshohet se mes tyre ka patur një sherr për përparësinë e kalimit në një rrugë të ngushtë që ndodhej në fshatin Baltëz të Fierit, zonë në të cilën banonte familja Cenalia prej shumë vitesh. Efektivi i forcave ‘Shqiponja’ ka debatuar me të riun që vinte nga një fshat tjetër, por që kalonte nëpër Baltëz, por ai është larguar pak, ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar në kokë, duke i marrë jetën.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes pas telefonatës së banorëve të zonës, ndërsa, i ati i Policit, gjendej në sallën operative të drejtorisë së Policisë së Fierit. Autori, një djalë vetëm 23 vjeç është larguar menjëherë me makinën e tij, një mjet tip ‘Audi’, e ka braktisur atë për tu fshehur.

Policia e Fierit ka nisur kërkimet, më pas kanë shkuar edhe përforcimet nga Tiranë, dy reparte janë vënë në ndjekje të tij, duke i bërë thirrje disa herë, nëpërmjet familjes së tij që të dorëzohet. Por pas më shumë se tre orësh kërkime dhe përpjekje për të negociuar, policia e Fierit nxori edhe një njoftim me atë të të cilit lajmëronte se kushdo që të kishte informacion për të të informonte policinë kundrejt shumës prej 30 mijë eurosh.

Por deri orëve të vona, nuk u bë i mundur dorëzimi i tij, e për pasojë, policia dyshon se ai është i fshehur në zonën e Apolonisë, atje ku edhe janë përqendruar kërkimet pas orës 20.00 të së djeshmes. Të ashpër kanë qenë në reagimet e tyre Taulant Balla dhe Muhamet Rrumbullaku, të cilët i kanë bërë thirrje të dorëzohet, por policia dyshon se duke qenë i armatosur, rritet edhe rreziku i rrethimit të tij.

DYSHIMET E PARA

Policia e Fierit fillimisht ka dyshuar që ngjarja e rëndë të ketë shkaqe të mbartura nga familja Cenalia, e ardhur nga Kruma e Hasit në Fier. Duke njohur efektivin që u gjend i pajetë në rrugën e ‘sherrit’, kanë kuptuar se punonjësi i policisë nuk ishte djalë me probleme, ata kanë nisur kërkimin e një pistë për të mësuar se cili ishte shkaku i vrasjes.

Verifikimet dhe një kamera në afërsi të rrugës ka treguar se gjithçka ka nisur nga konflikti për kalimin i pari në rrugë, ku shfaqet autori me armë në dorë duke qëlluar mbi 28-vjeçarin Cenalia. Policia pas identifikimit të autorit, ka nisur verifikimet për të shkuarën e tij dhe ka parë që ai ishte vëllai i një tjetër personi të dënuar për vrasje, e madje për një nga krimet më të rënda të ndodhura në Fier 5 viteve të fundit.

Po në fakt, vëllai i autorit nuk u arrestua për masakrën e 13 gushtit, por për një tjetër tentativë vrasjeje në vitin 2021. Që prej asaj dite, vëllai i Asllan Mernincës është në burg dhe rezulton i dënuar me 19 vjet!

NGJARJA SIPAS POLICISË

Novruz Cenalia, 28 vjeç, si çdo ditë u bë gati, veshi uniformën e Policisë së Shtetit që e mbante prej disa vitesh, pasion për policinë i trashëguar nga babai dhe u nis për punë. Rrugës, debati për radhën e kalimit me makinë me Asllan Mernicën, 23 vjeç, në fshatin Baltëz, 10 km larg Fierit, përfundoi në një tragjedi.

I riu nga fshati Sulaj, 500 metër larg në vijë ajrore me Baltëzën, nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetit, i cili u shemb në tokë pa jetë. Vrasja u shënua rreth orës 13:15 minuta të 13 majit 2024. Asllan Mernica, i njohur edhe me emrin Azgan, u largua nga vendi i ngjarjes me makinën tip “Audi”, ngjyrë blu, të cilën e braktisi disa kilometra me tutje dhe nga aty u arratis arave. Në ndjekje të tij janë vënë me dhjetëra efektivë policie, përfshirë Forcat Kombëtare e Sigurisë dhe elita RENEA.

‘I bëjmë thirrje autorit të vetë dorëzohet pasi veprimi i policisë do të jetë i ashpër. Pista kryesore është për motive të çastit. Nuk lidhje me probleme hasmërie. Makina e autorit është gjetur. Ka qenë një kon flikt i çastit.’- tha Lorenc Panganika, drejtor i policisë së Fierit. Policia e Shtetit ofron 30 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që do të ndihmojë për lokalizimin dhe arrestimin e autorit, duke garantuar anonimatin e plotë. Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli, ndërsa operacioni nga afër u ndoq për disa orë edhe nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku.

I ati i efektivit që ndërroi jetën nga plumbi në kokë, Nevruz Cenalia është po ashtu polic pranë sallës operative të Policisë Fier, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në një vrasje të ndodhur vite më parë në vendlindjen e tij në Has, të mbyllur në dyert e drejtësisë, çfarë fillimisht e vendosi në tavolinën e hetuesve si pistë, por u sqarua shpejt që nuk kishte lidhje.

Ndërkohë, autori i ngjarjes, Asllan Mernica, rezulton të jetë vëllai i Kiri Mërnicës, i arrestuar për tentativë vrasje. Bashkë me 3 të tjerë më 17 prill 2021 u përfshi në një konflikt ku mbeti i plagosur Pashk Palnikaj. Po ashtu, Kiri Mërnica akuzohet si i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në 2019-ën, ku u masakrua Florian Selimi, me origjinë nga Tropoja dhe banues në fshatin Sulaj

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re