Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 10 vite burgim adoleshentin Ergys Malja, të akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës 32 vjeç, ngjarja e ndodhur më 17 Maj të vitit 2021.

Malja akuzohet për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Prokuroria kërkoi 12 vite burgim për Ergys Maljan, ndërsa gjykata e shpalli fajtor duke e dënuar me 10 vite.

Ergys Malja akuzohet si personi që nxorri në pritë Endri Mustafën në zonën e livadheve.

32-vjeçari u zhduk mbrëmjen e 15 Majit pasi doli nga banesa dhe nuk u kthye më. Ndërsa trupi i pajetë i tij u gjet më 17 Maj në zonën e livadheve pranë By-Passit të Shkodrës. Ai ishte dhunuar dhe vrarë me armë zjarri.

Në marrjen në pyetje 1 vit më parë, Ergys Malja ndër të tjera në dëshminë e tij deklaroi: “Rreth orës 19:00 i kam shkruar në Instagram Endrit e i thashë a po vij t’i marr ato Lekët. Ai më tha hajde, dhe më dha edhe 70 mijë Lekë të tjera. Aty i thashë a do të ikim t’i këpusim sonte ato (për hashashin). Ai më tha po mor, ikim.

I thashë prit të iki të ndërrohem, se isha me pantofla dhe kur të çoj një mesazh me kalë në Instagram, do dalësh mbrapa shtëpisë. Pasi ikam çuar mesazhin me kalë, kam dalë nga shtëpia dhe shkova te dera e Endrit mbrapa. Në atë moment ai po lëvizte kamerën me më pa a jam aty, i kam çuar prapë foton me kalë dhe ja bëra me dorë.

Doli hapi derën e më tha prit sa të ndërrohem e të marr pistoletat, se mos na duhen gjë. Edhe unë u ktheva në shtëpi, lashë telefonin dhe dola nga mbrapa shtëpisë time nga ku jemi nisur për në livadhe. Rrugës ai po shihte pistoletat dhe më pyeti kë do. I pashë dhe i thashë më jep këtë te zezën”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re