Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Berisha shpreh ngushëllime familjes Kalaja dhe të afërmve të tij, si dhe dënon aktin kriminal.
Berisha kërkon dënim të rreptë për autorin e vrasjes.
“Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja.
Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.
- Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit, dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.
- Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë“, shkruan Berisha në rrjete sociale.
Për ngjarjen ka reaguar, kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili është shprehur se “kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit”.
I tronditur është shprehur dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili e dënon këtë akt të rëndë, duke e cilësuar atentat makabër ndaj vetë sistemit të drejtësisë, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.
