
Pas ngjarjes tragjike që tronditi sistemin gjyqësor shqiptar, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e vendit.
Takimi u zhvillua në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe synon të adresojë situatën e rëndë që ka shkaktuar shqetësim dhe pasiguri në radhët e gjyqtarëve.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalën e tij të mbajtur përpara gjyqtarëve deklaroi se vrasja e gjyqtarit Kalaja ishte e parashikuar, për shkak të fyerjeve dhe denigrimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve nga aktorë politikë dhe zyrtarë të shtetit.
Po ashtu, kryetari i Gjykatës së Lartë e konsideroi Këshillin e Lartë Gjyqësor përgjegjës kryesor për vonesat në marrjen e vendimeve dhe për mosplotësimin e detyrave, përfshirë edhe atë të garantimit të sigurisë në institucionet e drejtësisë.
Sidoqoftë, Sadushi shtoi se asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë.
“Asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë. Asnjë kërcënim nuk do të ndalë gjyqtarët, që të bëjnë me vendosmëri, punën e tyre. Drejtësia shqiptare nuk është ende në pritshmëritë që presin qytetarët dhe duhet të përmirësohemi, duke garantuar gjykimin në kohë, si dhe vendimet e arsyetuara. Duhet të ngremë zërin dhe të ndërmarrim hapa konkretë, për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve”, tha Sadushi.
Ndërsa drejtuesi i GJKKO, Erjon Bani tha se sistemi i drejtësisë, duhet të bashkohet, për të mbrojtur vlerat themelore të sistemit të drejtësisë shqiptare.
“Gjithashtu, kjo ngjarje është një moment kur më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur vlerat themelore të sistemit të drejtësisë shqiptare”, tha Bani.
Zv.kryetari i Gjykatës së Tiranës Gerd Hoxha i quajti injorante deklaratat e policisë se siguria nuk është përgjegjësi e tyre. Kërkon ndryshime në ligjet për sistemin gjyqësor. Sipas KLGJ, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
