Vrasja e 35 vjeçares shtatëzënë në oborrin e martenitetit nga bashkëshorti në Kosovë  ka sjellë reagimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

 

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se një krim i tillë është i papranueshëm dhe i padurueshëm.

 

Dy ëngjëj në qiellin e pisët e ka nisur Kurti reagimin e tij, ndërsa thekson se e reja u vra nga dora e atij që duhet ta mbronte.

 

“Dy engjëj në qiellin e pistë

 

Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor.  Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, shkruan Kurti.

 

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova sot vajton për një grua që nuk arriti të bëhej dot nënë dhe një jetë të palindur.

 

Osmani shton se borxhi ndaj viktimave të dhunës është drejtësia.

 

“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

 

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor.  Një tjetër

 

“burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.

 

Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!

 

Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.

 

Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

 

Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI”, shkruan Osmani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re