Televizioni kombëtar grek “ANT1” i ka kushtuar një artikull shqiptarit të vrarë në burg Jani Aliaj ose  i njohur me pseudonimin “Xheku i tmerrshëm”

Televizioni kombëtar grek “ANT1” i ka kushtuar një artikull vrasjes së 49-vjeçarit shqiptar, Jani Aliaj, ngjarje e ndodhur më 19 janar në burgun e Koridhalos.

Sipas medias, ai ishte transferuar për një kohë të caktuar në burgun e grave për shkak të dyshimeve se mund t’i bëhej atentat. Më pas ai ishte rikthyer sërish në burgun e burrave pa dhënë një arsye të qartë.

“Duke pasur parasysh se kishte informacione se kundër tij ekzistonte një kontratë vdekjeje, ai ishte transferuar në burgun e grave pak kohë më parë, për arsye mbrojtjeje. Papritmas, pak kohë më parë, u vendos që ai të transferohej përsëri në degën kryesore të burrave, pra në burgun e burrave, pa justifikim”, thotë gazetari Panagiotis Stathis.

Sipas të njëjtave burime, dy muaj më parë ai mori sulmin e parë në burg dhe i shpëtoi. Edhe atëherë, edhe pse ishte e qartë se ai do të vritej, nuk u morën masa mbrojtëse. Ai u la aty, ku fusha ishte padyshim e hapur për vrasësit e tij të mundshëm.

Sipas gazetarit të “ANT1”, “prandaj, është e qartë se ka përgjegjësi si penale ashtu edhe disiplinore. A po kërkohen ata? Nëse do të ndodhte një vrasje në Komisariat, i gjithë departamenti do të shpërbëhej. Tani? A janë ata përgjegjës në fund të fundit spektatorë të krimeve dhe pa asnjë përgjegjësi?”

Kush ishte Jani Aliaj?

Jani Alia 48-vjeçari nga Tepelena i njohur me pseudonimin “Xheku i tmerrshëm”,  u arrestua në 31 dhjetor të vitit 2024 në Athinë. Aty, me një identitet tjetër, i fshihej drejtësisë shqiptare prej 9 vitesh. Në 2016-ën, në një lokal në zonën e ish-bllokut, ai vrau me një pistoletë mulli, Elton Çiçon, po nga Tepelena.

Vrasja në Tiranë ishte pasojë e një luftë mes të dyve që kishte nisur herët në vendlindjen e tyre. Në mesin e vitit 2000 Jani Aliaj goditi për vdekje me thikë një 20-vjeçar nga Tepelena, shoku i fëmijërisë së Elton Çiços. Nga ajo kohë, Çico u betua për hakmarrje. Kjo ndjenjë për të marrë hak i bashkoi edhe në burg në Greqi. Të dy përfunduan në burgun e Koridhalos për vepra të ndryshme penale. Aty patën përplasjen e parë fizike.

Të dy u liruan dhe konflikti mes tyre përshkallëzoi në atentate të njëpasnjëshme. Çiço tentoi ta vriste Alinë në janar të vitit 2016 në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër, duke e plagosur lehtë, por pa arritur qëllimin. Pak muaj më vonë, në maj të 2016-ës, Alia veproi gjakftohtë duke e vrarë armikun e tij teksa ndodhej në një lokal në ish-bllok nën shoqërinë e një mjeku dhe gazetari.

Nuk dihet ende përse ekstradimi i Jani Alisë në Shqipëri, i arrestuar në ditën e fundit të 2024-ës deri në janar 2026 nuk është kryer, por me gjasë lidhet me faktin se edhe në Greqi Jani Alia, kishte probleme me drejtësinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re