Gjykata e Tiranës ka hedhur shortin dhe ka caktuar trupën gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj ish efektivit Nevaldo Hajdaraj i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës.

Seanca e parë e kësaj çështjeje do të zhvillohet më 29 prill në orën 12:30, me kryesuese gjyqtaren Armela Hasantari.

Gjykata pritet të vendosë mbi kërkesën e Hajdarajt që procesi ndaj tij zhvillohet me gjykim të shkurtuar.

Hajdaraj ka kërkuar edhe ndryshim të akuzës, nga ajo e vrasjes me dashje, në vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.

Prokuroria ka dalë në përfundimin se Nevaldo Hajdaraj e ka kryer krimin me dashje dhe për këtë ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me dashje.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e 8 Dhjetorit në zonën e Laprakës në Tiranë, ku Rasha kishte dalë në rrugë duke shkelur orën policore.

Hajdaraj në momentin e arrestimit pretendoi se e kishte qëlluar pasi kishte menduar se Rasha ishte drejtuar me armë, por nga hetimet rezultoi se ai ka qenë i paarmatosur.