Skip to content

Vrasja e Klodian Rashës, protesta vazhdon te Kryeministria

Protestuesit ndodhen tani para Kryeministrisë, për të vijuar shfaqjen e revoltës së tyre në lidhje me vrasjen e Klodian Rashës.

Kujtojmë se një efektiv policie është plagosur gjatë protestës që po zhvillohet para ministrisë së Brendshme.

Qindra të rinj u mblodhën para Ministrisë së Brendshme, në shenjë proteste ndaj vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga ana e efektivit të Reneas.

Nën thirrjet “Unë jam Klodiani” dhe “Duam drejtësi”, të rinjtë kërkojnë zbardhjen e ngjarjes, madje dhe dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

“Sandër Lleshaj jep dorëheqjen”, dëgjohet të thuhet nga turma e mbledhur për të protestuar.

Protesta ka qenë e thirrur në rrjetet sociale, kryesisht nga të rinjtë dhe nuk ka patur organizim politik.

Ekzekutimi i Klodian Rashës nga një efektiv policie, pranë banesës së tij, ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagimet të shumta.

Gjatë protestës janë lënduar protestues, efektivë të policisë dhe një gazetar.