Nga Blendi Gashi

Rivarrimi i Ahmet Krasniqit në Prishtinë, ish-ministrit të parë të Mbrojtjes së Kosovës në kushte lufte, ( i vrarë më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë, në një atentat të pazbardhur, por të aluduar si dorë e shërbimeve serbe), ka ringjallur debatin se kush e vrau kolonel Krasniqin dhe zyrtarët e lartë të LDK-së paslufte.

Dhe familjarë e ish-deputet të LDK-së e akuzojnë hiç më pak se presidentin Hashim Thaçin si urdhërdhënës për vrasjen e Krasniqit e zyrtarëve të LDK-së.

Ish-deputetit të LDK-së nga Drenica, Gani Geci, ka reaguar pasi që presidenti Thaçinderoi familjen e kolonel Krasniqit, për çka e bën fajtor direkt për vrasjen në fjalë.

“Hashim Thaçi urdhërdhënës për vrasjen e Ahmet Krasniqit, duke u munduar t’i ik Gjykatës Speciale po mundohet t’i nderoj heronjët. Unë dhe Thaçi do të takohemi në Gjykatën Speciale”, ka thënë Geci.

Tutje Geci ka kërkuar që Thaçi të dorëzohet para Tribunalit të Hagës.

“I kërkojë Hashim Thaçit të dorëzohet para Hagës. Do të jem dëshmitar për vrasjet politike të tij pas luftës, familjet patriotike janë vrarë më urdhër të Hashim Thaçit”, ka deklaruar ai.

Por jo vetëm ish-deputeti Geci por edhe djali i ish deputetit të LDK-së Smajl Hajdarajt (i vrarë paslufte), Shpëtimi ka akuzuar Thaçin si një prej të dyshuarve kryesor për vrasjen e babait të tij dhe kundërshtarëve të tjerë politik.

“Një popull , nuk mund ti nënshtrohet një njeriu (si i dyshuari kryesor për vrasjen e kundërshtarëve politik , njëra ndër to edhe ajo e Smajl Hajdarajt)”, shkruan ai në Facebook, ndërsa fton qytetarët t’i bashkohen protestës së Vetëvendosjes që do mbahet më 29 shtator në Prishtinë.

Dy vjet nga letrat e Thaçit dërguar Prokurorisë për vrasjet e pasluftës…

Edhe pse ka ikur një ditë nga akuzat që ish-deputeti Geci bëri ndaj Thaçit ky i fundit ka heshtur, nuk e ka thënë deri më tani asnjë fjalë.

Duke qenë se akuzohet si urdhërdhënës i vrasjes së kolonel Krasniqit, presidenti Thaçi duhet të mos hesht por të flas dhe të tregoi krejt ç’di për vrasjen në fjalë por edhe të zyrtarëve të lartë të LDK-së të vrarë paslufte në mënyrë që të mos lejohet të bëhet kurrfarë loje politike me vrasjet në fjalë.

Kujtojmë se Thaçi më 10 tetor të 2016-tës, para dy vitesh përmes një konference për media, njoftoi se ua ka dërguar Prokurorisë së Shtetit dhe asaj Speciale katër letra ku kërkoi që në mesin e tyre të zbardhet edhe atentati ndaj ish presidentit Rugova dhe të gjithë akteve të tjera të vrarë pas luftës në Kosovë.

“Arsyeja pse tani po kërkohet kjo është se tani drejtësia ndodhet në duart e vendorëve dhe fakti se unë jam president”, deklaroi atë kohë presidenti Thaçi.

Por edhe pse kanë ikur dy vite nga dërgimi i këtyre letrave, nuk ka thuajse asnjë person të arrestuar për vrasjet e pasluftës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re