Porositësi i vrasjes së bashkëshortes së tij, Naim Murseli, mund të kërkohet nga drejtësia suedeze. Avokatja nga Suedia, Arlinda Loncari është shprehur se shteti suedez mund të kërkojë ekstradimin e tij, siç raportojnë mediat në Kosovë.

 

“Shteti suedez ka mundësi të kërkojë ekstradimin e Naim Murselit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. Ka mundësi. Kjo nuk është folur aspak nëpër media”, u shpreh ajo.

 

Duke iu referuar mediave suedeze, Loncari ka deklaruar se Naim Murseli, ka punuar si këshilltar i sigurimeve në njërën prej kompanive më të mëdha në Suedi, “Folksam”.

 

Sigurimi jetësor i viktimës është një ndër motivet më të përfolura për vrasjen e 33-vjeçares nga Naim Murseli. Lidhur me këtë avokatja shprehet se ai ai mund të përfitonte nga një polisë sigurimi jetë jashtëzakonisht e lartë në rast, nëse nuk do të zbardhej ngjarja.

 

Ajo tregoi se polisa më e lartë e sigurimit të jetës në Suedi arrin në vlerën e rreth 8 milionë kronave suedeze, që korrespondon me afërsisht 850 mijë euro, raportojnë mediat.

 

 “Në qoftë se nuk ish bërë domethënë zbardhja e fatit, në qoftë se domethënë nuk tregohet se kush e ka bërë këtë vrasje, në këtë rast do t’i merrte bashkëshorti i saj, bashkë me fëmijët. Po së pari i takojnë bashkëshortit, varet se si i ka shkruar ai. Në qoftë se ai ka shkruar se ai do t’i marrë të hollat, domethënë këto para, atëherë ai do t’i merrte”, tha Loncari.

 

Avokatja Loncari ka folur edhe për fëmijët e Liridonës. Sipas saj, në raste të tilla fëmijët merren nga qendrat sociale në Suedi.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re