Vrasja makabre e një të riu francez në Kroaci në prill të këtij viti është duke u hetuar edhe në Shqipëri.

Prokuroria e Tiranës është duke verifikuar kontaktet e 24-vjecarit Eliot Charlet në Shqipëri pasi ka rezultuar nga hetimet franceze që ka pasur kontakte që lidhen me antenat telefonike shqiptare.

Për verifikimin e këtyre të dhënave janë angazhuar Oficerë te Policisë Gjyqësore, që ndër të tjera do të verifikojnë një sërë personash që kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria në data të afërta me vrasjen, e cila konsiderohet ende mister për autoritetet franceze dhe kroate.

Të dhënat e mbledhur nga Prokuroria e Tiranës do t’i dërgohen më pas me kthim letër porosie autoriteteve franceze.

Pas vrasjes së 24-vjeçarit. mediat kroate në atë kohë kanë hedhur dyshime se ngjarja mund të kishte si autorë trafikantë të emigrantëve për shkak të zonës ku është gjetur trupi.

Megjithatë dyshimet se vrasja mund të ishte kryer në një vend tjetër dhe trupi i masakruar ishte hedhur aty, kanë bërë që deri më tani vrasja të konsiderohet mister.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re